Sa dhimbje në sfondin e historisë së shkëlqyer të Dani Alveshit!

Teto Ollga thoshte dikur tek filmi i famshëm “Zonja nga qyteti”, se fshatarët “kanë shitur gomerët dhe kanë blerë biçikleta”. Dani Alvesh është një nga këta fshatarë që nuk iu desh të shiste asgjë, përveç talentit për arritur tek blerja e ndonjë aeroplani, helikopteri, jahti apo shtëpie superluksoze.

Ylli brazilian gjithsesi nuk i ka harruar “rrënjët” e tij, dhe nga duke u kthyer në vendlindje, zbulon sfondin aq të dhimbshëm të historive si kjo e tija. “Një bie, mijëra ngrihen”, është shprehja, veçse në këtë rast duhet thënë “një shpëton, mijëra mbeten në mjerim”.

Dani Alvesh lindi në Huazeiro, një nga lagjet e stërpopulluara të qyteteve braziliane që jeta është krejt e ndryshme nga ajo që njeh Europa Perëndimore. Vetë milionerit të sotëm “i ra koka” në një shtëpi si kotec, dhe si fëmijë fjeti në një shtrat si rrasë druri, që të kujton mjerimin e dikurshëm të malësorëve të Shqipërisë.

Ai tregoi edhe fushën me gurë dhe me dheun e kuq ku mësoi të luante futboll, dhe ku mëson të luajë futboll ende pjesa më e madhe e fëmijëve në botë, nëpër kontinente si Amerika Jugore apo Qendrore, Azia dhe Afrika.

“Dua që Mesi e Nejmar të vijnë e të luajnë dhe të shënojnë gola në këtë fushë ku unë kam luajtur në fëmijëri, – thotë ish-lojtari i Barcelonës dhe i Juventusit, – është e lehtë të shënosh në “Kamp Nou” apo “Juventus Stadium”, por jo këtu”.

Për Dani Alveshin, e kaluara është thjeshtë një film që ai e shikon herë pas here, më shumë diçka që i jep kënaqësi të pamasë, sepse bën kontrast me jetën e tij të sotme përrallore. Për shokët e tij të fëmijërisë dhe mijëra fëmijë të tjerë, historia e tij është thjesht një ëndërr të cilën mund ta arrijnë fare pak prej tyre.

Sfidanti.aldani alvesh1dani alvesh2dani alvesh5