Ronaldo si Lebron Xhejms, kontratë për jetë me Najkun!

E meriton si një nga sportistët më të mirë në botë, edhe pse përmbajtjen financiare të një marrëveshjeje të tillë as nuk e ka të nevojshme, dhe as do ta shohë ndonjëherë me sy. Në një botë që (ende) peshohet nga sasia e parave që vendos në “kandar”, Kristiano Ronaldo mund të quhet një njeri i suksesshëm. Pas kontratës së re 5-vjeçare me Realin, ja ku do të ketë edhe akordin tjetër milioner, këtë herë me kompaninë e madhe amerikane Najk.
Flitet për rreth 16 milionë euro në vit, ndërsa mediat amerikane dhe ato europiane shkruajnë se kjo i përngjan asaj të Lebron Xhejmsit, me kompaninë që prodhon veshje sportive. Ylli i NBA-së e ka marrëveshjen me Najkun në nivelin e 1 miliardë dollarëve me kohëzgjatje për gjithë jetën.
Tridhjetenjëveçari po ndjek rrugën e Dejvid Bekamit që u përpoq të mbetej sa më i famshëm dhe të fitonte sa më shumë para edhe pas lënies së futbollit, ndërsa më herët kontratë të përjetshme kishte bërë gjigandi i basketbollit, Majkëll Xhordan. “Unë jam pjesë e familjes Najk përjetë”, – u shpreh Ronaldo, në një nga ato frazat “parafabrikat” që thuhen në raste të tilla. Kësaj i thonë ta duash familjen për interes.
B. Kuka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *