Rivalët e Botërorit zhgënjejnë… shfaqen me maskë në ndeshjet debutuese!

Veç Francës, që fitoi me shumë mund, favoritët tjerë që shiheshin para Kupës së Botës për të triumfuar në Rusi, nuk kanë bindur, duke përjashtuar paksa Spanjën që pavarësisht barazimit 3-3 me Portugalinë, paraqitja e tyre ka qenë për t’u duartrokitur.

Franca, Gjermania, Brazili, Spanja, por edhe Argjentina – janë parë si favoritë për të triumfuar në Botërorin e Rusisë.

Por, përveç Francës që fitoi 2-1 kundër Australisë me lojë aspak bindëse, skuadrat tjera kanë regjistruar rezultate zhgënjyese.

Spanja nuk mori më shumë se një pikë ndaj Portugalisë, duke barazuar 3-3, edhe pse duhet përmenduar se paraqitja e tyre ishte mbresëlënëse.

Gjermania u shokua nga Meksika 0-1, Argjentina u ndal nga Islanda 1-1 teksa të dielën mbrëma Brazili mori vetëm një pikë në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës së shqiptarëve, duke barazuar 1-1.

Është e qartë se favoritët nuk e kanë nisur aspak mirë Botërorin e Rusisë, por që të gjitha skuadrat shpresojnë t’i ndryshojnë gjërat për të mirë në sfidat e dyta.

Sfidat e ardhshme, favoritët i zhvillojnë: Spanja luan kundër Iranit me 20 qershor, Franca kundër Perusë 21 qershor, Argjentina kundër Kroacisë gjithashtu me 21 qershor, Brazili me Kosta Rikën me 22 qershor dhe Gjermania me Suedinë me 23 qershor.