“Rinovimi i Mesit është prioriteti numër 6”, thotë Barcelona

Nuk janë fjalët e trajnerit Luis Enrike, as të presidenti Bartomeu. Gjithsesi, ai që i thotë është një njeri i rëndësishëm në “kozmosin” e Barcelonës. Bëhet fjalë për zëdhënësit e komitetit drejtues (hunta direktiva) të klubit, Zhozep Vives, i cili tregon për mediat rezultatet e “Observatorit Blaugrana”, lidhur me shqetësimet kryesore të ortakëve. Rinovimi i kontratës së Lionel Mesit, sipas tij (dhe sipas rezultateve të Observatorit) është renditur në vendin e gjashtë ndër përparësitë e njerëzve të brendshëm të katalanasve.

Kontrata e re e yllit argjentinas natyrisht që është e rëndësishme, ndryshe nuk do të kishte qenë fare në listën e prioriteteve, por nuk është kryesori. Pesë gjërat më të rëndësishme sipas ortakëve (socios) janë rinovimi i stadiumit “Kamp Nou”, titujt e fituar (veçse, për momentin, nuk mund të mendohen pa Mesin), planifikimi i skuadrës në përgjithësi, çështjet juridike (ka pasur shumë skandale) dhe vizibiliteti ekonomik i klubit. A mos është kjo një tjetër shenjë, se kriza mes Barcelonës dhe Mesit (për çështjen e kontratës) do të vazhdojë? Presidenti Bartomeu ka thënë ndryshe, ndaj le të presim e të shohim.