Reja i druhet lodhjes: Do kemi shumë ndryshime për Lituaninë!

Bjellorusia kaloi mirë e bukur, por pengesa e radhës pritet të jetë gjithashtu e vështirë, pse jo edhe më shumë. Kombëtarja shqiptare do të ketë probleme fizike për ndeshjen ndaj Lituanisë në Ligën e Kombeve, edhe pse luan në “Arenën Air Albania”, diçka që e pohoi trajneri Edi Reja. Së pari, veterani italian theksoi se pret një ndeshje të ndryshme nga ajo në Minsk. “Nga ana psikologjike dhe taktike pres një ndeshje të ndryshme, sepse Lituania luan ndryshe, e mban topin dhe është e shpejtë, ka dy lojtarë krahësh të mirë, – u shpreh 75-vjeçari, – Por, unë besoj te skuadra ime. Shpresoj të jetë mirë fizikisht, nuk e di sesa prej tyre mund të luajnë sërish. Aspekti fizik është vendimtar, sepse ka shpenzime të mëdha energjie. Skuadra duhet të jetë 100 për qind në formë, dhe duhet të kemi kujdes që të mos kemi mentalitet të gabuar, meqë kundërshtari ka humbur 0-2 ndeshjen e parë”.

Më pas, trajneri shpjegoi se përse pret që të ketë ndryshime në formacion.  “Për fazën sulmuese kam disa probleme sepse kam rastin e Cikalleshit që është i lodhur, ka inflamacion, – tha Reja, – Në mbrojtje do të ketë pak ndryshe, mund të jenë po ata, sepse mbrojtësit nuk lodhen edhe aq shumë. Mund të ketë ndryshime edhe në mesfushë sepse Bare e Abrashi vrapuan shumë dhe u lodhën. Nuk di për lojtarët e krahut, do të shohim deri nesër, nuk e di nëse do të jenë në maksimum. Duhet të kemi kujdes, sepse kemi lojtarë që nuk kanë luajtur shumë ndeshje, pra mund të krijohen probleme”.

A i druhet tekniku një lloj vetëkënaqësie pas fitores në Bjellorusi? “Natyrisht jemi të kënaqur për rezultatin, por rruga është e gjatë, – theksoi italiani, – Nuk ka përfunduar gjë në Bjellorusi, por kemi shumë ndeshje të tjera. Kemi folur gjatë me lojtarët edhe pas ndeshjes, dhe nisëm menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës. Nuk mund të gabojmë dhe ta marrim lehtë ndeshjen. Vlerësimi duhet të jetë maksimal. Duhet të jemi në maksimum taktikisht, ndërsa nuk jam plotësisht i kënaqur me lojën, pasi bëmë gabime sidomos në sulm. Pasi shënuam golin e parë u tërhoqëm në portën tonë, gjë që nuk duhet ta bëjmë. Ndoshta kjo ndodhi edhe për shkak të problemeve fizike. Kishim 9 muaj pa u parë me njëri-tjetrin dhe nuk është e lehtë që për 3 ditë të përgatisësh ndeshjen, ndaj të paktën luftuam me karakter”.

Odise Roshi herë pas here bëhet çështje te kombëtarja pasi, edhe pse është lojtar nga më të mirët e ekipit, nuk është thuajse kurrë titullar. “Roshi është një lojtar që i çan ndeshjet, – e vlerësoi trajneri lojtarin e tij, – Kur hyn në fushë është vendimtar. Unë kam folur me të gjithë lojtarët, dhe i kam thënë se rëndësi ka që të japin maksimumin, edhe nëse luajnë pak. Roshi është instinktiv në lojë, por nuk ka mbulimin e duhur. Nuk mundem ta ndryshoj tani sistemin e lojës, pasi duhen muaj për të krijuar një sistem loje, dhe mua më duket se skuadra e pranon me dëshirë këtë skemë”.

Një pyetje pë rata që u dyshuan fort se mund të kishin dalë pozitivë me koronavirus, ndërsa nga FSHF jepen të dëmtuar, pra për Ramadanin dhe Ismajlin. “Nuk janë mirë fizikisht, nuk mund të luajnë, – pohoi italiani, – Janë veç, kanë probleme fizike dhe shpresojmë për tetorin, më vjen keq, por për fat morëm shumë lojtarë në ekip, patëm 31 lojtarë dhe kjo na ndihmon. Më duhen të paktën 22 lojtarë që të jenë në formë shumë të mirë për dy ndeshje në pak ditë. Erdhi Çekiçi, Laçi, Broja, kemi edhe Çepelen që është i vitlindjes 2003. Më ka pëlqyer shumë Broja dhe jo vetëm në anën fizike, por edhe Çepele që luan me tru dhe shpresoj të jetë pika e forcës e të ardhmes për Shqipërinë”.

Pyetja e fundit për trajnerin ishte nëse pritet që në këtë ndeshje të ketë debutues në fushë. “Ka mundësi të mira që të ketë debutues. Nuk e di nëse do të jenë që nga fillimi, por do të jenë ndoshta me kalimin e kohës, ndoshta në sulm. Kemi pasur shpenzim energjish dhe lojtarët e rinj janë shumë të mirë”, – përfundoi Reja. Kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj, që ishte në krah të Rejës, theksoi se skuadra duhet të ketë ekulibër në sulm e në mbrojtje, ndërsa shtoi se pozicioni ku po luan tek Shqipëria është i ri për të, por po i pëlqen dhe po përpiqet të përshtatet.

Sfidanti.al