Reali në telash për shtyrjen e ndeshjes, s’ka kur luan!

Selta Vigo-Real Madrid nuk do të luhet sot në mbrëmje siç ishte parashikuar, dhe shqetësimi është i madh sidomos tek klubi madrilen që nuk di se kur do ta zhvillojë këtë përballje. Sfida u anulua zyrtarisht nga liga spanjolle e futbollit për shkak të dëmtimit të mbulesës së njërës nga tribunat e stadiumit “Balaidos”, ndërsa specialistët deklaruan se nuk mund të ketë garanci për sigurinë në ato kushte, dhe se punimet për të ndrequr problemin do të vazhdojnë deri të martën.

Reali ka një kalendar shumë të ngarkuar pasi, përveç ndeshjeve të kampionatit, do të jenë edhe ato të Ligës së Kampionëve, ndërsa ka gjithashtu edhe data të lira të FIFA-s për t’u luajtur ndeshjet eleminatore të Botërorit. Eleminimi në Kupë nuk e ndihmoi aspak ekipin e Zidanit, pasi ishte vetë Selta që e mundi, pra Vigo do të jetë e angazhuar në gjysmëfinalen e dytë javën që vjen. Nëse Reali dhe Selta shkojnë deri në finalen e kompeticioneve europiane ku marrin pjesë (Champions dhe Liga e Europës) atëherë nuk mund të ketë asnjë datë të lirë. Por, si do t’ia bëjnë, do ta luajnë këtë ndeshje, apo do ta hedhin me short?