Reali i koshit si i futbollit, Fenerbahçe pengesa e fundit në Euroligë

Është rekordmen i tiujve në futboll, por edhe në basketboll. Reali i Madridit ka 12 Liga të Kampionëve, dhe 9 Euroliga (kupa të kampionëve në basketboll), ndërsa nesër ekipi i koshit do të synojë të fitojë të 10-ën. Brenda muajit maj, të dyja skuadrat “merenges” mund të shpallen kampione të kontinentit, Reali i basketbollit me finalen e së dielës ndaj Fenerbahçes, dhe ai i topkëmbës me finalen e 26 majit ndaj Liverpulit.

Formacioni i trajnerit Pablo Laso ia doli përkundër parashikimeve ndaj CSKA-së favorite të Moskës në Arenën e Beogradit, duke merituar plotësisht kualifikimin për në finale. Madrilenët triumfuan 92-83 me një lojë më shumë kolektive sesa ajo e kundërshtarit, duke qenë tepër të fortë në mbrojtje, mjaft kombinativë në sulm dhe tepër të saktë në gjuajtjet për tri pikë.

Luka Donçiç tregoi se përse vitin e ardhshëm do të jetë në NBA, duke shënuar 16 pikë, kapur 7 topa në tabela e dhënë 2 asistë, Sergio Jul ishte në krah po me 16 pikë e me 5 asistë. Trej Tompkins e Gustavo Ajon shënuan nga 12 pikë, ndërsa 11 nga 12 lojtarët arritën të realizonin pikë.

Moskovitët nuk ia dolën në pengesën e “Final Four”-it, edhe pse kishin qenë më të mirët në sezonin e rregullt. Minusi më i madh për ta ishte Sergio Rodrigez, ish-lojtari i Realit që nuk e përballoi dot psikologjikisht këtë ndeshje. “El Çaço” shënoi vetëm 5 pikë, ndërsa ekipi i trajneri Dhimitris Itudis gaboi më shumë në gjuajtje sesa kundërshtari. Nando De Kolo ishte më i miri, por më së shumti atëherë kur nuk bënte dot punë (shënoi 20 pikë), ndërsa më aktivët ishin amerikanët Klajbërn (16 pikë), Hajns (16) e Higins (15).

Në gjysmëfinalen tjetër, Fenerbahçe shfrytëzoi përvojën dhe trajnerin e madh, Zheljko Obradoviç. Zhalgirisi i Kaunasit u mund 76-67 dhe skuadra turke arriti finalen e tretë radhazi. Kampionët në fuqi të Europës kishin më të mirin amerikanin Ali Muhamed me 19 pikë, italiani Datome shënoi 16 pikë dhe greku Slukas 14. Mbështetur tek amerikani tjetër Uanëmejkës dhe çeku Veseli, Feneri pati më shumë thellësi sesa lituanezët, që arritën pas shumë viteve në Katërshen Finale.

Sfidanti.al