Reali është dy pikë larg titullit, Benzema është 3 gola larg Mesit!

Gjithçka po ecën përsë mbari për këtë Madrid dhe Zinedin Zidan e ka kthyer në versionin më të mirë. E qartë që po përfitojnë nga dobësia e Barcelonës, por gjithsesi është gjë e madhe që Reali është pranë titullit. Fitorja 2-1 në fushën e Granadës e bëri që të jetë vetëm 2 pikë larg fitores së kampionatit. Po ashtu, Karim Benzema, që shënoi edhe këtë herë, afrohet në 3 gola diferencë me Lionel Mesin, pra i kërcënon Këpucën e Artë të La Ligës.

Ferlan Mendi kaloi kryesuesit në epërsi që në 10’, që ngjau me rrjetat e Roberto Karlosit, pastaj Benzema dyfishoi shifrat në 16’ dhe Reali u duk se përfundoi punë në fushën e Granadës. Nuk ishte plotësisht ashtu pasi Daruin Maçis rihapi ndeshjen në 50’, edhe pse madrilenët patën nerva për të mos gabuar deri në fund. Lajm i mirë është që plot 21 lojtarë “merenges” kanë shënuar këtë sezon, një lloj kompensimi për mungesën e rrjetave të Kristiano Ronaldos. Gjithsesi, mediat spanjolle shkruajnë se “ky duhet të quhet kampionati i Tibo Kurtuasë”, kaq i mirë ka qenë portieri belg. Reali ka 83 pikë ndaj 79 të Barcelonës, ndërsa duhen edhe dy javë deri në mbyllje të sezonit në La Liga.

Sfidanti.al