Real Madrid, çfarë pritet të vijë pas turpit të Parisit?!

Titulli i gazetës “Marka” ishte përmbledhja e të gjitha mendimeve të tifozëve madrilenë: Më e keqja e gjithçkaje është ajo që pritet të vijë! E pra, paska më keq sesa një katastrofë 0-3 në “Park dë Prensis”, ndaj një rivali që është tallur shpesh se nuk ka “gjak blu”, dhe që këtë herë i mungonte “gjaku më i pastër”, dyshja Kilian Mbape-Nejmar. Kjo do të thotë se në “Bernabeu” tmerrohen për afrimin e sfidave të forta në kampionat (Barça, Atletiko) dhe në Champions (turet me eleminim).

Zinedin Zidan, “njeriu që nuk e njeh fjalën “e pamundur””, duket si një trajner i zakonshëm, jo si ai që fitoi tri herë radhazi Championsin, Tibo Kurtua në portë ngjan si një gardian “ordiner” që pëson gola të lehtë, ndërsa Reali të kujton një mekanizëm të prishur së brendshmi, që nuk ka shpirt kolektiv e lojë të përbashkët.

Një ish-madrilen si Angel Di Maria e dënoi ekipin e tij të dikurshëm me dy golat e parë, në minutat 14 e 33, ndërsa mbrojtësi belg Tomas Mënier vulosi shifrat në sekondat e fundit. Garet Bejlit u anulua një gol nga VAR-i, për prekje të topit me dorë. Një tjetër ish-madrilen, portieri Kejlor Navas, ishte në anën fituese, ndërsa “Marka” u dha nota “sterrë të zeza”, Kurtuasë, Karvahalit, Varanit dhe Hazarit. Më të mirët e Madridit, Hames Rodrigez e Bejl, ndërsa PSG ishte lart si ekip, ndonëse veçohen Bernat, Sarabia dhe Di Maria.

Sfidanti.al