Ramos apo Rambo-s ? Reali i tij synoka titullin e La Ligës

Luka Modriç dhe Toni Kros kapin ritmin, Serhio Ramos shënon gola si të jetë Kristiano Ronaldo dhe Karim Benzema luan si i rilindur, ndërkohë që Reali i Madridit po arrin fitore mbas fitore, duke e ngushtuar diferencën në pesë pikë nga Barcelona, megjithëse kjo e fundit ka një ndeshje më pak dhe atë e pret një ndeshje e vështirë në Bilbao me Atletikun vendas, ndërkohë që Reali, në fakt, e ka më të lehtë kalendarin deri në fund të sezonit.
Pesë fitoret radhazi e kanë përmirësuar atmosferën në klubin “mbretëror” që tani e ka ngritur përsëri kokën dhe pretendon kurorën e trefishtë.
“Reali do të luftojë deri në fund, asgjë nuk ka mbaruar. Tani ne jemi të dytët, por duhet të vazhdojmë të luajmë mirë, sepse Atletiko gjithashtu do të luftojë deri në fund”, deklaroi trajneri Santiago Solari mbas ndeshjes që Reali e fitoi 1-3 ndaj Atletikos së Madridit. Në fakt, ka mundësi që Reali të përfitojë nga kalendari i vështirë i ndeshjeve të Barcelonës që në katër raundet e ardhshëm tre ndeshje i ka “bomba”, me Atletikun e Bilbaos, Seviljen dhe në “Bernabe” me Realin.
Sfidanti.al