Rakitiç shpëton Barçën “rakitike” ndaj Bilbaos, Mesi e asiston!

Trajneri i Juventusit, Sarri, u përpoq t’i jepte fund polemikave duke thënë se “nuk kanë rëndësi opinionet, por fakti që ne jemi në vend të parë”. Këtë mund ta thotë edhe Kike Setien, ndonëse duket që trajneri i Barcelonës është shumë më i tërhequr sesa ai bardhezi, apo ndoshta sepse skuadra e tij po luan edhe më keq sesa Juvja. Ndaj Bilbaos në “Kamp Nou”, u desh që Rakitiç të hynte si zëvendësues për të shpëtuar një Barçë “rakitike”. U desh edhe një nga më shumë se 300 asistet e Mesit, që kroati të shënonte, ndërsa bukuria e katalanasve shihet më shumë tek fytyrat e reja si Ansu Fati e Riki Puig.

Ata janë e ardhmja, por ndoshta Setien nuk mund të sakrifikojë një titull për të synuar titujt e së ardhmes. Ndoshta, në përfundim, edhe këtë titull mund ta humbasë. Barcelona u kthye vërtet në krye të renditjes së La Ligës, me 3 pikë më shumë sesa Reali, por madrilenët nuk e kanë luajtur ende ndeshjen e tyre, dhe nëse i fitojnë të gjitha, dalin kampionë. Problem tjetër i madh për “azulgranët” është se 46 nga 68 pikët që kanë, i kanë fituar në “Kamp Nou”. Si i bëhet kur luhet jashtë fushe?

Sfidanti.al