Pyetja tingëllon fatale : A do të luhet pa kompromis derbi ?

Vite më parë, besimtarët fanatikë të futbollit, predikonin se ndeshja derbi, sidomos ajo Partizani- Tirana, ishte kaq e shenjtë sa ishin gati të vendosnin një tabelë pranë stadiumit me mbishkrimin : “Prona edhe shitet, kurse derbi nuk ka çmim”. Atëherë, nuk besonim se do të vinte një kohë tjetër, kur topi nuk do të ishte gjithnjë i rrumbullakët , kur derbi ka ndryshuar rrënjësisht përmbajtjen, saqë është më i bukur te shkallët e stadiumit, ku tifozët shkrijnë talentin, saqë në fushë nuk ndodhin më ato që thuhen dhe që shkruhen me të madhe. Kuptohet, në një vend ku është dëmtuar ndjeshëm shtylla kurrizore e moralit të futbollit, kjo sfidë pritet sikur të jetë ‘Kisha” që do të lajë mëkatet e gjithë sezonit. Të gjitha provokimet, intrigat apo shpifjet karakteristike të natyrës sonë pranohen, por vetëm një pyetje e shpon derbin mu në zemër : “ A do të lëshojnë xixa Partizani dhe Tirana apo do të sajojnë një rezultat ngushëllues ? Sikur këtë pyetje ta dëgjonin të gjithë brezat e futbollistëve, ata që kanë dhënë shpirtin për të mbajtur gjallë frymën e “armiqësisë së bukur”, do të kuptonin se në kohën e sotme nuk ka më vend për monumente…
Kambanat po bien: Po vjen ndeshja derbi ! Ky i radhës ndjell shumë intrigë në pamje të jashtme, sepse shikon Partizanin që sundon kampionatin dhe synon fitoren e triumfit, kurse Tirana në një mision atipik për historinë bardheblu…për të mbajtur frymën gjallë në Superligë. Ka disa që thonë se në një kampionat ku kompromiset dhe pazaret mbijnë si hashashi, përse kërkohet virgjëri nga derbi. Një kategori tjetër, e cila shijon akoma me stilin e vjetër, pranon që të përjetojë një ndeshje plot zemërim sportiv, sipas gjakut të derbit, pastaj, le të rrezikohet titulli i Partizanit apo “lëkura” e Tiranës. Duken sikur kanë të drejtë këta të fundit, por kjo logjikë është si puna e derbit, ku në vend qw tifozwt tw shikojnw veprat e futbollistwve nw fushw, ndodh e kundwrta…

Gëzim Sinemati