Arratisja e Kaçes nga Kombëtarja? Lala shijon autogolin ndryshe..

Një deklaratë e Altin Lalës, një nga futbollistët më të dashur dhe më të besueshëm, lidhur me Ergys Kaçen, të përjashtuarin e luksit në Kombëtare,  ka tingëlluar aq e pavertete, sa nuk besohej se dëgjonim zërin e tij: “ E dini pse nuk luan Kaçe në Kombëtare? Sepse nuk stërvitet rregullisht..” Dukej si një rrufe në qiell të pastër,  kur buron nga goja e një  autoriteti  që i ka thënë gjërat  pa u ndikuar nga loja në prapaskenën kuqezi. Sapo dëgjon këtë deklaratë, pyetja e parë është dyshuese: janë me të vërtetë fjalët e Lalës?  Apo siç ndodh zakonisht, shefat nga FSHF,  aplikojnë shpëlarjen e trurit lidhur me flakjen misterioze të futbollisti plot fantazi.

Nëse Lala ka zbuluar “gralin” për mungesën e Kaçes në Kombëtare, atëhere  do të provonim ta kundërshtonim vetëm me një argument: nëse për shqiptarët Kaçe është pa stërvitje, cilin ka mik në Çeki që e fut në formacion, bile edhe “ndihmon” të tregojë klasin në mesfushë.  Goja e futbollit është qepur , dhe shumë të vërteta shtrembërohen , ajo që dëshpëron është pjesëmarrja e Altin Lalës në një mesele,  ku  trajneri De Biazi nuk po gjen dot avokat për ta fituar gjyqin me opinionin.