“Projekti Rinia” i Bajernit të Flikut ka nevojë për “fshatarin” Myler!

U desh hyrja e tij pas një ore lojë që të ndryshonte fytyra e ndeshjes. Në “Uanda Metropolitano” Bajerni po humbiste me meritë, por gjithsesi gjithçka ishte vetëm statistikë sepse bavarezëve kjo ndeshje nuk u duhej. Kjo e lejoi trajnerin Hansi Flik të bënte një eksperiment, që në Gjermani e quajtën “Projekti Rinia”, dhe ku mungonin Levandovski, Nojer, Gorecka, ku Tomas Myleri dhe Serg Gnabri ishin në stol, dhe ku të tillë si Toliso apo Kimih janë të dëmtuar.

Me moshë mesatare 26 vjeç, ky ishte Bajerni më i ri në 5 vjet. Gjithsesi, u desh të hidheshin në fushë Myleri dhe Gnabri që Atletiko të ndalej. Spanjollët po udhëhiqnin 1-0, por Myleri fitoi penallti dhe e ktheu në gol në minutën e 86-të. Pas 15 fitoreve radhazi, bavarezët u ndalën në barazim në Champions, por sërish kanë 16 ndeshje pa humbje. Vetëm Mançester Junajtidi në 2007-2009 ia kishte dalë. “Jam i kënaqur me rezultatin, – tha Fliku që ruajti yjet për ndeshjen e fundjavë në kampionat ndaj Lajpcigut, – me hyrjen e Mylerit ne morëm më shumë zemër. Ishte një mbrëmje e suksesshme, kemi fituar disa ide mbi lojtarët që kemi”.

Sfidanti.al