Prag Juventus-Atalanta, a do ta mposhtë “hirushja” edhe Zonjën e Vjetër?!

Nuk është duel Championsi, për këtë moment ngjan si i tillë. Juventusi përballë Atalantës është kryendeshja e javës në Serinë A, sfidë që luhet sot në orën 21:45, dhe që e gjithë Italia mezi pret për ta ndjekur. Janë kampionia e sprovuar, dhe sfiduesja e të mëdhave, që të dyja skuadrat e Italisë në Ligën e Kampionëve, dhe që synojnë lavdinë. Juventusi kryeson renditjen, Atalanta është në vend të tretë, dhe priten emocione në stadiumin “Alianc” të Torinos, ndonëse përgjithësisht “Zonja e Vjetër” ka qenë një nga ekipet e paktë që mund të thuhet se ia ka marrë dorën bergamaskëve. Trajneri Mauricio Sarri mendon ndryshe.

“Jam dakord me Guardiolën, – thotë ai, – të përballesh me Atalantën është sikur të shkosh tek dentisti, pra duhet të përgatitesh të të shkulin dhëmbët. Atalanta nuk është më një e papritur, pasi ka kohë që luan kaq mirë, sidomos jashtë fushe. Është një moment i rëndësishëm i sezonit, dhe ne nuk duhet të gabojmë”.

Kolegu i tij, Gasperini, dëshiron të provojë për të arritur një tjetër të papritur. “Ne nuk do të shkojmë në Torino për të bërë pushim apo turizëm, por për të synuar që ta fitojmë ndeshjen, – thotë nga ana e tij, Gasperini, – do të jetë shumë e vështirë, por të tilla janë ndeshjet ndaj Juventusit. Synojmë të vazhdojmë rrugën tonë, të luajmë mirë dhe të marrim rezultat. Nga ana tjetër, përballja ndaj Juves do të na shërbejë edhe si test për Paris SG në Champions”.

Juvja pritet të luajë me skemën 4-3-3, ndërsa kthehen De Ligti e Dibala, e Higuain mund të jetë në stol, ashtu si Bufoni e Kielini. Për duelin e madh të Serisë A flet edhe ish-trajneri i Juves, kampion i botës me Italinë në 2006, Marçelo Lipi.

“Juventusi është tringjyrëshi, pra është skuadra kampione dhe e dizenjuar për të qenë sërish kampione, – thotë Lipi, – Atalanta, ndërkaq, është një skuadër e shkëlqyer, shumë tërheqëse për futbollin që zhvillon. Mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft e bukur për t’u parë”. Juventusi kryeson renditjen me 75 pikë, ndërsa Atalanta është e treta me 66.

Sfidanti.al