Prag, Juve-Napoli, Italia mban frymën për finalen e Superkupës!

Këto dy skuadra i kanë luajtur disa finale së bashku. Histori e gjatë ajo mes Juventusit e Napolit, e për të mos u kthyer në kohët e Omar Sivorit, Maradonës apo Platinisë, le të kujtojmë se sfida e sotme për Superkupën është vazhdim i dueleve të 8 viteve të fundit. Herë ka fituar njëra, dhe herë tjetra, ndërsa emocionet kanë qenë të fuqishme, ashtu siç do të jenë përsëri ndonëse në stadiumin e Rexho Emilias nuk do të ketë tifozë.

Për Juventusin është një moment tepër i vështirë, i vendosur në dyshim pas humbjes me dorëzim në fushën e Interit. Askush nuk e priste një rënie të tillë dhe nga kampionët e Italisë pritet një reagim. Trajneri Andrea Pirlo ka probleme me mbrojtjen pasi ende janë jashtë për shkak të Kovidit, Aleks Sandro, Kuadrado dhe De Ligt, ndërsa Dibala mbetet i dëmtuar. Në repartin difensiv do të jenë Kielini, Bonuçi e Danilo, por alternativat mungojnë. Konkurrencë e madhe në mesfushë, ndërsa në sulm priten Ronaldo e Morata.

“Kjo ndeshje duhet të jetë ajo e kthesës, – u shpreh Pirlo, – duhet ta harrojmë sa më shpejt atë që ndodhi me Interin dhe të fitojmë Superkupën. Juventusi është tjetër gjë nga ajo që u pa në “San Siro”, dhe jam i bindur se nëse luajmë lojën tonë i kemi të gjitha shanset për të fituar. Gjithsesi, të kemi kujdes nga ritmi dhe teknika e lartë e Napolit. Me Gatuzon jemi shumë miq, unë e shaja me shaka dhe ai më godiste, po me shaka”.

Gatuzo, nga ana e tij, nuk ka ende sulmuesin Osimhen, por sulmuesi tjetër Petanja e ka kaluar dëmtimin. Mungesë e rëndësishme sërish Dris Mertens, por që mund të jetë në stol. Mbrojtësit shqiptarë, Hysaj e Rrahmani nuk pritet që të luajnë në formacion. Napolitanët vijnë me moral të mirë pas fitores 6-0 në Serinë A ndaj Fiorentinës, por skuadra e Gatuzos duhet të mësojë të ketë më shumë vazhdimësi. Trajneri napolitan bëri një batutë lidhur me kolegune  tij juventin.

“Unë dhe Andrea jemi si Bad Spenseri me Terens Hillin, – u shpreh, – ai më tallte pa fund, por edhe ai ka ngrënë kaq shuplaka nga unë sa nuk ia ka dhënë babai. Shpresoj t’i shkaktoj një hidhërim, edhe pse do të mbetet gjithnjë një mik i madh për mua. Kam mësuar shumë nga ai, por edhe ai nga unë. Jemi të njëjtë në stilin tonë, duam ta nisim nga poshtë dhe t’u japim mundësi të gjithëve të jenë protagonistë. Duam të bëjmë gjëra të reja siç janë bërë në skuadrat spanjolle”.

Jehona mediatike është ajo e rasteve të mëdha. “Tutosport: Juve që rrezikon gjithçka! Në Rexho Emilia sfida me Napolin jep Superkupën, bardhezinjtë duhet të fshijnë disfatën e “San Siros”, por ka alarm në mbrojtje! “Il Korriere delo Sport”: Larja e hesapeve! Juve-Napoli, finalja në orën 21:00 në Rexho Emilia! Pirlo: Ndeshja e kthesës! Gatuzo: Ata në krizë? Nuk u besoj aspak! Juventusi jepet favorit për finalen e orës 21:00, ndonëse Napoli nuk ka ndërmend të dorëzohet para kohe, ndërsa dueli i madh do të jetë Ronaldo e Insinje.

Sfidanti.al