Prag Inter-Juventus, Italia mban frymën për Derbin gjysmëfinal të Kupës!

Nuk mund të ketë duel më të madh se ky. Respekt maksimal Milanit që kryeson Serinë A, por në Itali e dinë se Derbi sot e ka emrin Inter-Juventus, dhe sonte në orën 20:45 do të jetë pikërisht kjo sfidë. Dy rivalët e mëdhenj përballen në “San Siro”, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, ndeshje që vjen vetëm pak ditë pasi zikaltërit arritën një sukses bindës 2-0 ndaj kampionëve në fuqi.

Për më tepër, ekipi i Kontes kaloi një tjetër provë të madhe, atë në çerekfinale të Kupës ndaj Milanit me fitoren 2-1 e pavarësisht ndonjë gabimi si barazimi në Udine, bindja është që Interi është tepër i fortë. Gjithsesi, duhet parë sesa do të ndikojë mungesa e dy lojtarëve tepër të rëndësishëm si sulmuesi Romelu Lukaku, i pezulluar pas sherrit me Ibrahimoviçin, dhe si mbrojtësi i krahut, Ashraf Hakimi. Konte nuk flet për mungesat, por paralajmëron.

“Sigurisht që Juventusi do të vijë me dëshirën për revansh, për shkak të humbjes në kampionat, – tha trajneri interist, – Duhet të kemi shumë kujdes, të luajmë ndeshjen më të mirë të mundshme, të bëjmë sa më pak gabime sepse do të kemi përballë një skuadër shumë të fortë. Do të luajmë për fitore, por pa aventurë për të mos pësuar gol. Kualifikimi do të vendoset në Torino”.

Po Juventusi si pritet të paraqitet dhe a mund të thuhet se kampionët në fuqi i kanë lënë pas pasojat e humbjes? “Zonja e Vjetër” reagoi mjaft mirë me një seri fitoresh dhe tani është shumë pranë dy kryesuesve në Serinë A. Lajmet nga Italia janë që Kristiano Ronaldo mund të ulet në stol pasi luajti në kampionat ndaj Sampdorias, me Moratën që mund të jetë në krah të Kulushevskit, ndërsa në fushë do të jenë Bufon e De Ligt. Trajneri Andrea Pirlo nuk dëshiron t’i kthehet humbjes.

“Ndeshja në Milano është tashmë e harruar, – u shpreh Pirlo, – ajo është pjesë e kampionatit, ndërsa ajo e tanishmja është një gjysmëfinale e Kupës së Italisë. Do ta luajmë me dëshirën e madhe për t’u kualifikuar. Të harrojmë atë që ndodhi më parë, dhe të përgatisim e të luajmë sa më mirë këtë që kemi tani sepse duam finalen”.

“Provë force, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, me foton e duelit imagjinar me kyç mes Kontes e Pirlos, – Inter-Juve, duel i pafund! Konte pa Hakimin e Lukakun, duhet të konfirmojë superioritetin e kampionatit”. “Il Korriere delo Sport”: Pirlo, lëshon dorashkën e sfidës! E mësova leksionin, jemi gati! Konte: Respekt maksimal për Pirlon dhe Juven! Trajneri bardhezi ndjek revanshin në Kupën e Italisë!

Interi jepet lehtësisht favorit për të fituar sonte, ndërsa Juventusi besohet në avantazh për kualifikimin.

Sfidanti.al