Pogba po bie nga froni, një “galaktikas” i ri do të thyejë rekordin?

 

Duket se, tani, nuk ka asnjë pengesë për Realin e Madridit që paratë e fituara nga shitja e Alvaro Moratës dhe Hames Rodrigezit, t’i përdorë për blerjen e sulmuesit fantastik dhe “fëmijës mrekulli” të Monakos, Kilian Mbape. Kështu që duket se Morata, praktikisht, ka rënë dakord që të largohet nga Reali për te Mançester Junajtidi për 70 milionë euro, ndërsa radhën për të ikur, tani, e ka Hames Rodrigezi që ka shumë mundësi që të përfundojë te Celsi. Me paratë që do të sigurojë nga këto dy shitje, Reali do të mund të paguajë shumën që kërkon Monakoja dhe që, në fakt, “tingëllon” e pazakontë – 140 milionë euro!

Ky do të jetë, nëse realizohet, një rekord i ri botëror në fushën e transferimeve, i pesti për presidentin e Realit, Florentino Perez, mbas atyre të Luis Figos, Zinedin Zidanes, Kristiano Ronaldos dhe Geret Bejlit. Mbape, kështu, do të mund të zejë vendin e Moratës në ekip, ndërkohë që, tanimë, në “Santiago Bernabe” është sjellë Teo Ernandez si alternativë e Marselos, ndërsa pritet që të vijë edhe një stoper i ri që do të zëvendësojë, mbas shumë kohësh, Pepen. Verati, nga ana tjetër duket si një “mision i pamundur”, ndërsa për lojtarë të tjerë Zidane nuk ka nevojë, pasi është i kënaqur me këta aktualët, më të cilët ai fitoi kampionatin spanjoll dhe mbrojti titullin e kampionit të Evropës.

Sfidanti.al