Pesha e neveritshme e indiferencës dhe qetësia e shtirur e FSHF-së

Kur fillon e bëhesh indiferent, sigurisht nuk influencon më për mire. Ndërsa kur nuk të bën më përshtypje asgjë, atëherë do të thotë që ke filluar të pranosh me mirësjellje rrënimin. Ne këtej nga anët tona duket se kemi lindur indiferentë, ndërsa tani, thjesht nuk na plas fare. Lajmi i vetëm i ri i futbollit të sotëm është që nuk ka më vizualisht pika bastesh, ndërsa për futbollin e vërtetë, të duhet të kujtosh ata që i dhanë jetë në Shqipëri, por që nuk i kemi më mes nesh, apo të takosh ata që kanë mbetur nga një kohë e dikurshme dhe të fillosh e të bisedosh për histori të vjetra.
Po futbolli që vazhdon e luhet në këtë vend, çfarë është realisht? Kemi një Kategori Superiore me një ekip kampion, për të cilin është kërkuar nga UEFA një dënim 10-vjeçar për trukim ndeshjesh. Në këtë kategori është edhe një skuadër, që pas plot 89 vjetësh mori pjesë në një aktivitet zyrtar europian dhe duket se vërtetë mezi e kishte pritur këtë mundësi, pasi tani kemi një tjetër skuadër të dyshuar për trukim dhe aktualisht është nën hetim po nga UEFA. Elita e futbollit shqiptar është e përbërë edhe nga 3-4 skuadra në prag falimentimi, ose që mezi mbahen në këmbë. Dhe të mendosh, që në këto 28 mijë kilometra katrorë janë vetëm 10 ekipe në Superiore. Ndërkohë që brenda këtij territori ekziston edhe Kategoria e Parë, e përfaqësuar nga skuadrat e disa prej qyteteve më të rëndësishme të vendit, por që kryesisht e zhvillojnë aktivitetin në kushte mesjetare, ndërsa kampionati luhet sipas një formati që është kundër cilësisë dhe ndershmërisë, madje dy nga katër fazat favorizojnë hapur trukimet… por që për hir të tolerancës që na karakterizon, këtu tek ne janë të lejueshme.
Por ama kemi një institucion që drejton futbollin, i përbërë nga nja 100 vetë, të ndarë me nivele sipas hierarkisë, nga më despotët dhe deri tek më të përulurit. Ndërkohë që e gjithë ngrehina funksionon më së miri, duke mos e vrarë mendjen fare, pikërisht për hir të indiferencës së ambjentit të jashtëm. Vetëm në Shqipëri mund të ndodh, që me gjithë këto zullume, nuk organizohet qoftë një konferencë shtypi sqaruese, nga ato më të rëndomtat, dhe kjo sepse brenda mureve të atij institucioni ndjehen aq të sigurtë, saqë nuk ju bëhet vonë as për të na hedhur hi syve. Dhe kjo është vërtetë një fyerje e madhe, pasi në këtë rast njeriu ka nevojë edhe për një gënjeshtër çfardo, sa për t’u qetësuar me idenë se drejtuesit po impenjohen disi.
A, se nuk e kemi përmendur, quhet Federata Shqiptare e Futbollit dhe kjo qetësi luksi që po përjeton nuk është e rastësishme, por një investim i drejtuesve të saj të talentuar. Ata kanë ngritur një rrjet mediatik që gdhihet dhe ngryset duke numëruar suksese historike, si një altoparlant në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez. Për shembull, së fundi, maja e profesionit ishte ndjekja këmba-këmbës e presidentit në inspektimin e punimeve për ndërtimin e ambjenteve të reja ku do të sistemohen 100 spartanët e tij, një objekt ky që do të gëlltisë disa milionë euro. Opozita që i bënë njëri-tjetrit ndjekësit e bindur, konsistonte vetëm nëse nga këto miliona do të duheshin 8 apo 10, si të ishin para xhepi. Dhe shpërblimi është ndonjë dokument zyrtar që ua japin nga poshtë tavolinës si bakshish. Por edhe të bësh të kundërtën çfarë kuptimi ka, në një ambjent ku më shumë se sa për vlerat e garës, bëjnë tifozllëk për presidentin që konkuron për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Sa për kujtesë, duhet përmendur se është hera e dytë që po shpenzon gjithçka, natyrisht edhe kohën për t’iu përkushtuar futbollit të vendit, për të qenë mes atyre që po i dënojnë Skënderbeun dhe Luftëtarin… Ironike ë, po më mirë mbyll gojën dhe prit autobuzin…