Përse Interi është kaq fitues? Pyesni “binjakët” Ikardi e Perishiç

Në verë Ivan Perishiç ishte pranë kalimit për tek Mançester Junajtid. Zhoze Murinj ishte gati të jepte deri në 50 milionë euro për kroatin, por pastaj diçka ndodhi dhe transferimi nuk u realizua. Deri disa muaj më parë, Mauro Ikardi vërtet ishte kapiteni i Interit, por ishte në luftë me tifozët e ashtuquajtur “ultrasë” dhe thuhej se Maradona e Mesi nuk e lejonin të luante në kombëtaren e Argjentinës.

Sot, kjo dyshe është shtylla e Interit të Luçiano Spaletit që doli më në fund në krye të Serisë A. Perishiç shënoi 3 gola në triumfin 5-0 ndaj Kievos, ndërsa Ikardi shtoi një tjetër, përveç golit të realizuar nga mbrojtësi 22-vjeçar sllovak Shkriniar.

Këtë sezon, Ikardi e Perishiç janë “binjakët” e golit për zikaltërit dhe çdo skuadër që synon trofe të mëdhenj duhet të ketë sulmues dhe realizues të mëdhenj. Të dy së bashku kanë tundur 23 herë rrjetat, duke qenë dyshja më e mirë e Serisë A, e duke lënë pas Dibala-Higuainin me 21 si dhe Mertens-Kajehon me 15. Ikardi mbërriti në kuotën 94 me Interin, duke qenë tani në vendin e 10-të në renditjen e të gjitha kohëve, ndërsa Perishiç me 7 gola këtë edicion, synon të thyejë rekordin e vjetshëm që e pati 11.

Sfidanti.al