“Për Diegon”, i qëlloi Romës fati i keq të luante këtë herë ndaj Napolit!

Skena ishte ajo e duhura, në stadiumin ku ai shndriti për 7 vjet, dhe që shpejt mund të mbajë emrin e tij. Ishte ndeshja për Maradonën, dhe i qëlloi Romës fati i keq të vihej përballë Napolit këtë të dielë në mbrëmje në Serinë A. Me gjasë, asnjë skuadër nuk do të kishte dalë “gjallë”, madje as Bajerni i madh i Hansi Flikut.

“Për Diegon” ishte klithma e napolitanëve, të veshur si argjentinas me një fanelë të katërt special, për të nderuar ikonën jo vetëm të skuadrës, por edhe të qytetit. “Shën Diego” për Napolin është edhe më i rëndësishëm sesa “Shën Pali” (San Paolo) apo Shën Xhenaro.

E denjë për Diegon ishte goditja e dënimit e Lorenco Insinjes, kapitenit italian të këtij Napoli, që shënoi golin e parë në minutën e 30-të, dhe shkoi të festonte pranë kamerave me një tjetër bluzë me numrin 10, atë me emrin e Maradonës. Fabian Ruiz, Dris Mertens dhe Mateo Politano ishin autorët e golave të tjerë. Ndeshja nisi me një minutë heshtje si kudo në Itali, apo edhe në të gjithë botën, ndërsa u ndërpre në minutën e 10-të për një duartrokitje të gjatë. Minuta e 10-të ishte si simbol i numrit 10 të argjentinasit.

Sfidanti.al