Partizani mos qaj! Eleminim vërtet, por e ardhmja është me shpresë!

E tha saktë trajneri dhe drejtuesi i futbollit, Shkëlqim Muça (përveçse ish-lojtar super i talentuar): “Partizani është në rrugë të mbarë!” Duhet të quhet kompliment pas një humbjene 0-2, por një vlerësim i drejtë dhe i merituar, edhe pse kampionia e Shqipërisë “zbriti në kategori”, pra nga Championsi në Ligën e Europës. Karabaku, kampion i Azerbajxhanit, i respektoi parashikimet duke marrë kualifikimin pas një fitoreje e një barazimi, me golaverazh total 2-0, por duke vuajtur më shumë sesa pritej përpara një skuadre të organizuar.

Një klub me buxhet nga 12 deri në 15 milionë euro, padyshim që do të ishte favorit ndaj një tjetri me buxhet ndoshta 1.5 milionë euro, dhe në fushë pati diferencë, por jo në këto nivele. Ozobiç në minutën e 51-të dhe Kintana në minutën e 4-ët shtesë, në fund të ndeshjes, ishin autorët e golave që vendosën fatin e ndeshjes. Karabaku pati më shumë raste, dhe portieri e kapiteni Alban Hoxha bëri disa pritje, por edhe të kuqtë nuk ishin pa mundësi. Në minutën e 74-ët Solomon pati mundësinë më të mirë, por gaboi dy herë i vetëm me portierin vendas.

Kryeqytetasit do të luajnë tani në turin e dytë të Ligës së Europës, ndaj kampiones së Moldavisë, Sherif Tiraspol, me ndeshjen e parë në Shqipëri në 25 korrik, dhe atë të kthimit në Moldavi në 1 gusht. Trajneri italian, Franko Lerda, vlerësoi organizimin e ekipit të tij, sidomos në mbrojtje. “Nuk mund të jem i kënaqur kur humbas, – tha ai për RTVSH-në, – ka shumë diferenca, pasi ata kanë buxhet të madh dhe lojtarë cilësorë. Në 180 minuta, ishim ne që patëm mundësinë më të mirë, por e humbëm, 4-5 raste gjithsej. Komplimente lojtarëve të mi pasi dhanë gjithçka”.

Sfidanti.al