Nxënësi Arteta mund mësuesin Guardiola, Arsenali në finalen e Kupës!

Deri disa muaj më parë ishin krah për krah, Pep numri 1 dhe Mikeli numri 2, por rolet kanë ndryshuar të paktën për të dytin. Arteta nuk është më ndihmës i Guardiolës, por trajner i parë tek Arsenali, dhe pikërisht përballë ish-mësuesit të tij (nëse mund ta quajmë kështu) ai arriti suksesin më të rëndësishëm deri tani në karrierë. Arsenali mundi 2-0 Mançester Sitin në “Uemblin” e boshatisur, duke siguruar “biletën” për në finalen e Kupës së Anglisë.

Pjer-Emerik Obamejang shënoi të dy golat, nga një në secilën pjesë, ndërsa Siti mori një goditje të rëndë vetëm pak ditë pasi arriti një fitore të madhe, atë në KAS-in e Zvicrës ndaj dënimit të UEFA-s. Për habi, suksesi i Arsenalit u realizua falë një mbrojtjeje të fortë, aspak karakteristike për “topçinjtë”, të udhëhequr nga David Luiz, njeriu i kritikuar jashtë mase këto kohë. Arsenali luan finalen e 1 gushtit ndaj Mançester Junajtidit ose Çelsit.

Sfidanti.al