Nuk mund të mungonte prezantuesi i madh në Kliçko-Xhoshua!

Thirrja e tij është bërë legjendare. Që nga mesi i viteve 80-të të shekullit të kaluar, përballjet më të mëdha të boksit profesionist nuk mund të mendoheshin pa të dhe pa britmën e famshme “Let’s Get Ready to Rumble”. Majkëll Bafer do të japë sinjalin e nisjes edhe për Ndeshjen e radhës të Shekullit, mes Vladimir Kliçkos dhe Entoni Xhoshuas. Plot 90 000 spektatorët në “Uembli” të Londrës do të dëgjojnë shprehjen-standard, por gjithnjë interesante me intonacionin dhe zërin e tij, dhe që përkthehet “Le të bëhemi gati për përleshjen”, ose “le të bëhemi gati për gjëmimin”.

Bafer u desh edhe ai vetë të bëhej gati për një përleshje pasi u diagnostikua me kancer në fyt në vitin 2008. Doktori që do ta operonte i tha se mund të mos fliste më pas operacionit, dhe Bafer tregon sesi sapo mjeku përfundoi dhe ai ndodhej vetëm në sallën e riaftësimit, nisi të provonte kordat zanore. Për fat, gjithçka ishte si më parë.

Në moshën 72-vjeçare, me 35 vjet karrierë dhe me mbi 1 000 ndeshje të prezantuara, ai është një yll më vete në xhunglën e boksit profesionist. Ai ka pjesën e tij në “tortën” prej qindra milionë dollarësh, dhe sot llogaritet se fitimet kanë arritur në 150 milionë dollarë. Tashmë, britma “Le të bëhemi gati …” do të dëgjohet përpara duelit Kliçko-Xhoshua.

Sfidanti.al