Nuk mjafton Mesi, Barça shumë larg titullit kampion në Spanjë!

Është vetëm fundi i nëntorit, por gjasat nuk janë të mira. Për Barcelonën vlen shprehja popullore “dita duket që në mëngjes”, ndërsa për katalanasit sezoni u duk në mbrëmjen e vështirë në stadiumin “Anoeta”. Në tokat baske, në San Sebastian, Barça nuk mundi të arrinte atë fitore që do ta mbante “vetëm” 4 pikë larg Realit në renditjen e La Ligës, për ta luajtur me shpresë dhe optimizëm Klasiken në “Kamp Nou”. Jo vetëm që nuk fitoi, por edhe duhet të falenderojë gjyqtarin që nuk humbi. Real Sociedadit iu anulua një gol i rregullt shënuar nga Huanmi në 76′ kur rezultati ishte 1-1.
Baskët shënuan të parët me anë të Uilliam Hozesë në 53′, por Mesi barazoi 6 minuta më vonë, falë pasimit të Nejmarit. Huanmit iu anulua goli, ndërsa meksikani Vela goditi shtyllën për Sociedadin në minutat e fundit. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë një pjesë e parë më e dobët se Barcelonës së Luis Enrikes, pavarësisht se e mbylli në barazim. Siç e tha edhe Gerard Pike pas ndeshjes, “me këtë lojë do të jetë shumë e vështirë të fitohet titulli”. Pritet kthimi i Andres Iniestës për t’i dhënë Barçës të paktën lojën e zakonshme, ndërsa Reali është 6 pikë larg, me 33 ndaj 27 të “blaugranave” që janë baraz me Seviljen.