“Nuk luftohet dot me Amerikën”, Bajerni nis të bëjë ligjin!

Nja dy apo tre vjet më parë, në përfundim të një finaleje të Kupës së Pavarësisë së “Selman Stërmasi”, trajneri i asaj kohe i Prishtinës, lëshoi pikërisht këtë batutë. Ekipi i tij ishte mundur bindshëm nga Kukësi i Ernest Gjokës, dhe tekniku prishtinas deklaroi se “nuk mundesh me luftue kundër Amerikës”, për të bërë dallimin mes potencialit të dy klubeve.

Edhe në Bundesligën e sotme ka shumë dëshira, por pak mundësi për të luftuar me “Amerikën”, pra me Bajernin e Mynihut. Kush nuk e kuptoi këtë, në përfundim të ndeshjeve të javës së 19-të, pra në nisje të fazës së dytë. Fitorja 5-0 e bavarezëve ndaj Shalkes erdhi pas humbjes 0-2 të kryesueses Lajpcig në fushën e Frankfurtit. Gladbahu këtë herë fitoi, por u mund një javë më parë nga Shalke, ndërsa shpresa e vetme për konkurrencë mbetet tek adoleshenti Haland, që mund të bëjë mrekulli me Dortmundin.

Levandovski, Myler, Gorecka, Tiago dhe Gnabri ishin autorët e golave ndaj “Bluve Mbretërorë” në “Alianc Arena”. Uli Hënes duhet të ketë dalë në pension i qetë, pasi me Hansi Flikun duket se ka goditur në shenjë, ai, por edhe Rumenige e Salihamixhiç. Tani, Lajpcigu ka 40 pikë ndaj 39 të Bajernit e 38 të Mynshegladbahut, kurse Dortmundi është i katërti me 36. Një renditje e shkëlqyer, por një ecuri që të kujton kampionatin e vjetshëm kur Borusia e Favresë kryesoi me diferencë, dhe në fund titullin e mori Bajerni.

Sfidanti.al