“Nuk kam para, por ndeshjen e shoh”, “Robin Hudët” sfiduan ligjet në Las Vegas!

Fatmëdhenjtë e kësaj bote patën një tjetër mbrëmje për të kënaqur shijet e tyre të pangopshme. Ata u mblodhën në “Qytetin e Mëkatit”, Las Vegas, për të  ndjekur sfidën aq shumë të reklamuar mes Flojd Mejuedhërit dhe Konor Mekgregorit. Që nga yjet e Hollivudit, deri tek miliarderët e “sallave të fshehta të ballove me maska”, ishin në supermodernen “T-Mobile Arena” (T-Mobajl Arena) për të ndjekur “copëzën” më të modës të sportit profesionist.

Si përherë, veçse, në tarvernat plebeje, apo në shtëpitë e varfra, fatin e sfidimit të këtij “establishmenti” e patën rreth 3 milionë njerëz, të paktëm sipas “qehajallarëve” të televizioneve me pagesë. Disa “Robin Hudë” paguan shumën prej 99.95 dollarësh për të blerë të drejtën e shikimit të ndeshjes (në SHBA) apo 19.95 paund stërlina në Britani, dhe ia shpërndanë pamjet popullit në “transmetim direkt” (live stream – lajv strim) nëpër platform si FB, Jutjub (Youtube), Periskop (Periscope) apo Tuiç (Twitch). Ky popull bëri një mëkat të vogël pa qenë në “Qytetin e Mëkateve”, aty ku ishin ata që të paktën një herë nuk mëkatuan.

Sfidanti.al