Një trajner me kostumin e Serisë A s’na mbulon dot lakuriqësinë

Edi Reja nuk është aspak një trajner i keq, edhe pse Napoli, Lacio apo Torino nuk e kërkojnë sot, në moshën 73-vjeçare. Karriera e italianit me origjinë sllovene do ta bëntë krenar çdo klub apo Federatë që do ta pajtonte në detyrë, edhe pse vitet mbi shpinë ngrenë dyshime, siç ndodhi edhe me legjendën Oto Bariç, që gjithashtu na nderoi duke u ulur në stolin e kombëtares.

Problemi kryesor i futbollit shqiptar, pra edhe i ekipit përfaqësues, sidoqoftë, nuk është trajneri, ndonëse të tillë si Panuçi padyshim që ishin problem. Dikur, i famshmi Myslym Alla ia tha në sy anëtarit të Byrosë Politike, Manush Myftiu, se “nuk bëhet bukë gruri, me miell misri”. Lymi i madh e pati fjalën tek mungesa e profesionalizmit në trajtimin e lojtarëve, dhe me nënkuptimin se ata nuk kishin përvojë për t’u matur me Europën.

Nëse Alla dyshonte tek Pano, Frashëri, Bizi apo Ali Mema, çfarë do të thoshte sot profesori i nderuar? Me futbollin që prodhon sistemi sot në Shqipëri, edhe togfjalëshi “miell misri” do të ishte i tepërt, pasi duhej gjetur ndonjë “miell tjetër”. Në një futboll ku kaosi dhe korrupsioni japin formën që në moshat e vogla e deri në Superligë, si mund të prodhohet “miell” për të nderuar fanelën kuqezi, dhe për t’i dhënë mundësi trajnerit të krijojë futboll?

Si mundet të pretendojmë kur vetë numri 1 i Federatës thotë se do të duhen 100 fusha të reja futbolli vetëm në Tiranë, që të plotësohen nevojat e fëmijëve për të luajtur? Pastaj, mjafton të bëhet një analizë e vogël dhe të kuptohet se janë ndërtuar qindra e mijëra pallate, aty ku duhej të ishin 100 fushat e futbollit, dhe se ato i kanë ndërtuar jo gazetarët që jetojnë me rroga, por të ngjashmit e presidentit të FSHF-së dhe të presidentëve të klubeve, pasi ata janë milionerë.

Ceremonia për prezantimin e një trajneri të ri është gjithnjë e bukur, madje në klubet apo Federatat që kanë pak suksese, mund të quhet pjesa më e bukur e “filmit”. Gjithsesi, edhe një trajner i suksesshëm i Serisë A, nuk do të ishte gjë tjetër, veçse një kostum “firmato” për të mbuluar lakuriqësinë tonë.

Sfidanti.al