Një humbje si fitore, Tirana “ia bëre fora” ndaj Zvezdës 50-milionëshe!

Nëse do të kishin vendosur buxhetet dhe numrat, futbolli nuk do të kishte qenë kurrë kaq i bukur sa është, Dinamo e Kievit, Steaua e Bukureshtit dhe vetë Crvena Zvezda nuk do t’i kishin fituar kurrë kupat e Europës. As Flamurtari nuk do ta kishte eleminuar Partizanin e Beogradit, apo Tirana, Dinamon e Bukureshtit. Gjithsesi, si në një betejë të pabarabartë të Skënderbeut të madh kundër sulltanëve otomanë, edhe kjo Tiranë thuajse ia doli ndaj Crvena Zvezdës, një ekipi që mund të ketë buxhet ndoshta 40 apo 50 herë më të madh.

Një humbje si një fitore, “një vdekje si me le”, një sfidë në “Arenën Air Albania” luajtur si i barabarti me të barabartin, madje me më shumë shpirt, më shumë vendosmëri dhe më shumë raste për të shënuar nga skuadra shqiptare. Dakord, nuk ia doli dot ta eleminonte rivalin me buxhet mbi 50 milionë euro, por nuk la gjë mangut, vuri zemrën në fushë dhe bëri krenar tifozët bardheblu dhe të gjithë shqiptarët. Ata që nuk patën besim, ata që iu friguan një humbjeje 0-3 apo 0-4, e kuptuan se nëse luan vërtet me zemër dhe me respekt për veten, të paktën nuk turpërohesh.

Rastet e Muçit, Hoxhallarit e Kalesë, pastaj shtylla e Muçit pas pushimit, rasti i pastër i Kobinasë, gjuajtja me kokë e Vrapit si dhe përpjekja e Torasës në sekondat e fundit ishin të mjaftueshme për fitore. Gjithsesi, triumfoi fati, portieri dhe kapiteni i Zvezdë, Borjan, si dhe shënuesi i golit, portugezi Tomane, që realizoi në minutën e 61-të. Crvena Zvezda shkon në turin e tretë eleminator të Champonsit, ndërsa Tirana në turin e tretë të Ligës së Europës, ku do ta presë padyshim një short i vështirë, por do të ketë një tjetër shans për të arritur fazën e grupeve.

Sfidanti.al