Një finale dhe dy vende Championsi në “ankand”, çfarë finaleje e Premier Ligës!

Një përfundim emocionesh të forta. E tillë java e fundit e Premier Ligës së Anglisë, ku do të përcaktohen dy vende për në Champions të sezonit të ardhshëm. Futbolli nuk do të thotë mirupafshim në ishull pa luajtur më parë një finale të vërtetë, atë mes Leisterit e Mançester Junajtidit, ndërsa ose njëra, ose tjetra mund të kualifikohen. Kësaj finaleje i shtohet edhe dueli tjetër i madh mes Çelsit e Uolvesit, ku vendasve u duhet të paktën një pikë për të siguruar Ligën e Kampionëve.

Sfida kryesore do të jetë në stadiumin “King Pauer”, ku vendasve u duhet fitorja ndaj Mançester Junajtidit, ndonëse mund të kualifikohen edhe me barazim, nëse Çelsi humbet. Në faqen zyrtare të klubit, të mbiquajturit “dhelprat” kanë botuar golin e parë të shënuar në Premier nga shënuesi i tyre kryesor, Xhemi Vardi, që ishte pikërisht ndaj Junajtidit. Gjithsesi, Leisteri nuk shkon me moralin më të lartë të mundshëm në këtë duel, pasi në ndeshjen e fundit u mund keqaz, 0-3 në fushën e Totenhemit.

Trajneri Brendan Roxhers shpreson që kjo disfatë e thellë të mos ndikojë. “Ne duhet të harrojmë çfarë ka ndodhur, dhe të përqëndrohemi për ndeshjen e fundit, – tha irlandezoveriori, – nuk duhet të lejojmë që një humbje të shkatërrojë punën që kemi bërë gjatë gjithë sezonit. i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë, dhe unë besoj se do t’ia dalim”.

Edhe Mançester Junajtidi nuk mund të thotë se ndihet mirë. Më parë u eleminua nga Kupa e Anglisë, ndërsa më pas arriti një barazim zhgënjyes, 1-1, në “Old Traford” ndaj Uest Hemit, ndërsa me një fitore do të kishte mbyllur çdo diskutim. “Ne shkojmë në ndeshje me besim të patundur në forcat tona, – thotë trajneri Solskjeri, – nuk duhet të mendojmë sesa e rëndësishme është kjo sfidë, por vetëm me përqëndrimin për të dhënë maksimumin. Duam jo vetëm të fitojmë, por edhe të dominojmë”.

Cili është kandidati tjetër për Championsin? Çelsi mban vendin e katërt, dhe duket se është në pozitë të mirë, pavarësisht nga disfata në Liverpul. Me kualifikimin në finalen e Kupës së Anglisë, dhe me një brez lojtarësh të rinj e të talentuar, Blutë e Londrës duket se do të kenë të ardhme të madhe, ndonëse kjo e ardhme kalon përmes përballjes me Uolvesin në “Stemford Brixh”. Gjasat duken të mira pasi ndeshja e fazës së parë u fitua 5-2 në fushë kundërshtare.

Trajneri i Çelsit, Frenk Lampard, kaloi gjithsesi ditë të vështira pas humbjes 3-5 në fushën e Liverpulit, ku ai u acarua dhe u përplas me kolegun e tij, Jurgen Klop, madje duke përdorur një gjuhë të pahijshme. Ai madje e akuzoi skuadrën kampione për arrogancë, ndonëse nuk dihet nëse kjo qendron, veçse tashmë duhet të harrojë gjithçka e të përqëndrohet tek ndeshja e fundit, përcaktuese për objektivin më të madh të sezonit.

“Unë kam besim tek djemtë e mi se do t’ia dalim, – deklaroi Lampardi, – në dy ndeshjet e fundit kam mësuar shumë gjëra, pasi ekipi tregoi karakter të madh ndaj Mançester Junajtidit në Kupë, dhe Liverpulit në Premier. E rëndësishme është që e kemi fatin në duart tona”. Në renditje, Mançester Junajtidi e Çelsi kanë nga 63 pikë, Leisteri ka 62, ndërsa Uolvesi është i pesti, jashtë garës për Champions, me 59 pikë.

Sfidanti.al