Një argjentinasi i duhet të punojë 6 muaj që të shohë Superklasikon!

Qëkur u mor vendimi që ndeshja e dytë finale e kupës Libertadores (Superklasiko) mes River Plates dhe Boka Juniorsit të luhet në “Santiago Bernabe” (20:30), shumë njerëz, sidomos, në Argjentinë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre të madhe ndaj këtij vendimi të konfederatës amerikanojugore të futbollit, midis të tjerave, edhe për arsyen madhore se vajtja në Madrid, pa përmendur çmimin e biletës, ka një kosto shumë të lartë.
Sipas llogaritjeve që janë bërë, tifozëve argjentinas, pvarësisht, nëse janë tifozë të Riverit ose të Bokës, do të duhet që të shpenzojnë shumë para për të parë këtë ndeshje. Llogaritjet e bëra tregojnë se “ekskursioni” në Evropë do të kushtojë 1500 deri në 5000 euro. Kjo do të thotë se tifozëve argjentinas do t’u duhet që të marrin një kredi konsumatore që të mund të shkojnë në fundjavë në Madrid dhe të kthehen në Buenos Ajres.
Një tifoz mesatar argjentinas duhet të shpenzojë të paktën 60 000 peso (rreth 1500 euro) që të shohë ndeshjen e mësipërme. Kjo do të thotë se një argjentinasi me të ardhura mesatare do t’i duhet paga e dy muajve vetëm që të vijë në Madrid dhe të shohë “ndeshjen e shekullit”, kurse atyre me të ardhura të ulta – paga e gjashtë muajve!
Por, seksioni i tifozëvë të Riverit në Spanjë paralajmëron se 1500 euro nuk do të dalin dhe se për “aventurën spanjolle” do të duhen patjetër gjithsej 5000 euro, sepse pritet sidomos një shtrenjtim i madh i biletave të avionëve. Thuhet se vetëm për biletën e avionit tifozit argjentinas do t’i duhen 2500 euro dhe po aq për shpenzimet e tjera: hoteli, bileta e stadiumit, lëvizjja në qytet, ngrënia, etj. Shkurt “karnavalet e Madridit” që do të zgjasin vetëm dy ditë, do të kushtojnë 5000 euro për person!
Sfidanti.al