Nga Superkupa e Europës në Shkup, tek kondicionerët e “Feti Borovës”

Mban emrin e njërit prej legjendave të sportit shqiptar, por nuk është ende e denjë për të. Salla e rikonstruktuar e lojrave me dorë në ish-kompleksin Dinamo, “Feti Borova”, vazhdon të presë ndeshje ndërkombëtare pa kondicioner!!! E provoi edhe Austria atë që kombëtarja shqiptare e basketbollit e ka provuar më parë, ashtu si edhe kombëtaret e volejbollit për meshkuj e femra, si dhe gjashtë kundërshtarët e tyre në ndeshjet e Ligës së Europës. Jemi në gusht, në një prej muajve më të nxehtë në kushedi sesa vjet, por Shqipëria nuk ofron ende kushtin elementar, ajrin e kondicionuar.

Edhe pse salla u përurua me bujë në qershor, me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, sërish pas gati 10 javësh, në tarracën e katit të dytë vazhdojnë të punojnë disa ventilatorë (freskues) të mëdhenj, por që nuk mjaftojnë. Nuk dihet sesa investim dhe sa kohë duhet për të vendosur kondicionerë, ndërsa në çdo familje shqiptare, kjo punë mund të bëhet brenda ditës.

E anasjelljta e sallës sonë me emrin e famshëm është stadiumi i Shkupit, “Filipi II”. Impianti kryesor i Maqedonisë në futboll i plotëson të gjitha kushtet ndërkombëtare, aq sa aty mund të luhet edhe Superkupa e Europës, dhe ku në fushë mund të dalin dy prej ekipeve më të mëdhenj të botës, Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid. Flasim për Maqedoninë, që megjithë respektin, nuk ka pse të jetë përpara nesh. Menduam se shpëtuam nga Pallati i Sportit me emrin po ashtu të madh, “Asllan Rusi”, ku merrnim gjoba në çdo aktivitet të madh, por nuk paska qenë e thënë.

Sfidanti.al