Nga Interi duan të ikin të gjithë, Bolonja ishte “stacioni i fundit”

Kur u bë i ditur formacioni me të cilin Interi do të luante ndaj Bolonjës, tifozët zikaltër komentuan kështu në rrjetet sociale: Të gjithë problematikët titullarë, edhe Naingolan, edhe Perishiç, por Spaleti ka bërë mirë sepse po u thotë “meqë doni të luani, tregoni sesa vleni”! Në fund, kur ndeshja u humb 0-1, u kuptua se Spaleti nuk kishte bërë mirë, ose ndoshta nuk kishte pasur se çfarë të bënte.

Interi tashmë është një skuadër jashtë orbite, jashtë dorës së trajnerit dhe asaj të klubit, me shpresën e vetme tek Bepe Marota që, me financimin kinez, të krijojë një skuadër të re, të vërtetë.

Si zakonisht, i pari do të largohet trajneri, kështu ndodh kudo në raste të tilla. Një teknik i dorëzuar është njëkohësisht edhe i dorëhequr, ndonëse mund të mos ikë vetë, por të shkarkohet. Interi “i çmendur” duket se ishte një barrë përtej të mundshmes për “priftin” Spaleti, më i vështirë sesa Roma dhe Zeniti i Shën Peterburgut.

Antonio Konte dhe Zhoze Murinjo cilësohen kandidatura për ta zëvendësuar, me ish-trajnerin e Italisë si favorit. Tifozët, madje, thonë se deri në maj skuadrën duhet ta drejtojë Esteban Kambiaso, ish-“shtylla” e mesfushës së Interit të tripletës.

Problemi i dytë është ai i kapitenit. Mauro Ikardi vështirë se mund të mbajë shiritin, siç kanë bërë dikur Xhuzepe Bergomi e Havier Zaneti, madje as nuk mund t’i afrohet sakrificës së Nikola Bertit dhe Marko Materacit. Jo vetëm kaq, por është e pamundur që Ikardi të jetë simboli i sulmit, dhe zgjedhja kryesore, sepse kjo do të thotë se në momentet më të vështira, Interi do të jetë i zbuluar në këtë pozicion.

Lajmet nga Milano flasin për një “eksod” të pritshëm. Mediat informojnë se dëshirë për t’u larguar kanë Perishiç, Kandreva, Miranda dhe Galiardini. Tashmë, Marota duhet të tregohet i zoti për të bindur ata që ja vlen që të qendrojnë, dhe për të gjetur alternativat e duhura për ata që do të ikin.  Gjithsesi, ka një objektiv që duhet arritur, Championsi, ndryshe është vështirë që të binden kampionët për të ardhur tek Interi.

Sfidanti.al