Nejmar bën plane të largohet, Ikardi bën gola për Paris SG!

Nuk ndodhet në pozitë shumë të keqe trajneri Tomas Tuhel, apo siç thuhet “si veshka mes dhjamit”. Edhe kur i mungon ndonjë nga sulmuesit, edhe kur dikur prej tyre ka probleme apo nuk ndihet mirë, janë të tjerët të gatshëm për të shënuar. Mbape, Nejmar, Ikardi dhe Kavani, sa për të përmendur emrat kryesorë, se Paris SG ka edhe të tjerë. Në ndeshjen e Kupës së Ligës, në gjysmëfinale, PSG mundi 6-1 Sent Etienin historik, dhe 3 gola u shënuan nga Mauro Ikardi. Sulmuesi argjentinas, është fjalëpak e kokëulur në “Park dë Prensis”, ndërsa flet me gola, në të njëjtën kohë që Nejmar flet më shumë nëpërmjet lajmeve në media. Sërish po flitet se braziliani ka shprehur dëshirën për t’u kthyer tek Barcelona, diçka që e provoi pa sukses verën e kaluar. Edhe ish-trajneri i PSG-së, Unai Emeri, e këshilloi që të kthehej në Spanjë. “Vetëm në Spanjë, Nejmar do të bëhet më i miri në botë”, – ishin fjalët e Emerit. Gjithsesi, në ndeshjen e Kupës së Ligës, Nejmari e shënoi një gol.

Sfidanti.al