Elektricisti që të fik dritat me talentin e tij! S’besoni, pyesni Fill Tejlorin…

Fill Tejlori e ka dominuar, në mënyrë pothuajse absolute, këtë lloj sporti gjatë shumë viteve, duke u bërë plot 16 herë kampion i botës, ndërsa gjatë viteve 1995-2002 ai e ka fituar pikadon tetë herë më radhë! Por, tani pikado ka një kampion të ri dhe ai është Robi Kros që, në finalen e kampionatit të 29-të botëror, mundi bindshëm 7-2 legjendën absolute të deritanishme të këtij lloj sporti, 57-vjeçarin Fill Tejlor. Krosi është 27 vjeç dhe, deri në dhjetor 2016, ai ka punuar si elektricist, ndërsa pikadon e ushtronte vetëm si amator, thjesht, për qejf! Por, në fillim të vitit të kaluar, ai nisi të merrej me këtë sport profesionalisht dhe, mbrëmë, ai mundi kampionin absolut të deritanishëm (Tejlorin) që titullin e parë të më të mirit në këtë lloj sporti e ka fituar, kur Robi Krosi as që kishte lindur!

Në gjysmëfinale, Krosi mundi 6-5 nr.1 aktual të botës, Majkëll Van Greven, ndërsa në finale Tejlori nuk kishte asnjë shans, pasi kundërshtari tij i ri, dy herë më i vogël në moshë, luajti i sigurt dhe ishte shumë më i mirë.

Sa për dijeni, Tejlori, prej më shumë se 20 vitesh, ka qenë kampion absolut, duke fituar 16 tituj kampionë bote, ndërsa gjatë viteve 1994-2007 ka marrë pjesë në të gjitha finalet e zhvilluara në pikado. Ai ka fituar gjithsej 216 turne. Krosi është baba i tre fëmijeve, kështu që rreth 500 000 eurot që fitoi, do ta ndihmojnë atë që t’i rrisë mirë fëmijët e tij të vegjël!

Sfidanti.al