Në Madrid janë të lumtur edhe me “gjysmë” Real ndaj Eibarit!

Presioni ishte i madh sepse duhej fituar dhe largësia 5-pikëshe e Barcelonës dukej si një greminë. Tani është ndryshe, dhe Reali është në vetëm -2, dhe shtypi i Madridit është i kënaqur edhe me një ekip “gjysmagjel”. Që do të thotë se ekipi i Zidanit luajti shumë mirë në pjesën e parë, duke kryesuar 3-0, por duke e ulur ritmin pas pushimit. “Madridi kopjon Barçën”, titullon “Marka”, që veçon Hazarin, Krosin dhe Sergio Ramosin.

“Gjysmë Madridi është shumë Madrid”, – shkruan “AS”. E përditshmja tjetër e kryeqytetit vlerëson se “Benzema, Modriç dhe Ramos ishin shtylla vertebrore e ekipit”. Zidan gjithashtu u shpreh i kënaqur, duke justifikuar uljen e ritmit të ekipit pas pushimit në Ministadiumin “Alfredo Di Stefano”. “Ndoshta, ndikoi fakti që kryesuam 3-0 pas pjesës së parë, – tha francezi, – nuk ishte e lehtë të luaje 90 minuta me ritëm të lartë pas kaq kohe ndërprerje”. Në përfundim, “Marka” thotë një dëshirë të ndaluar, pra që tashmë nuk mund të ndodhë: “Po sikur Hazar të mos ishte dëmtuar?” Që do të thotë se me një Hazar vazhdimisht në fushë, Reali do të kishte qenë shumë më i mirë, pra jo 2 pikë prapa Barcelonës.

Reali shënoi me Toni Kros 4’, Sergio Ramos 30’, e Marselo 37’, ndërsa Pedro Bigas shkurtoi diferencën në 60’. Ramos u zëvendësua në pjesën e dytë për t’u ruajtur nga ndonjë dëmtim, ashtu si edhe Karvahal. Reali 59 pikë ndaj 61 të Barçës, me golat 52-20 (+32) ndaj 67-31 (+36).

Sfidanti.al