“Ndeshja e Shekullit”, mbushen 67 vjet nga Angli-Hungari 3-6!

Duhej të kishte qenë sfida e mjeshtërve ndaj nxënësve, dhe në të vërtetë ashtu ndodhi, por në drejtimin e kundërt. Miqësorja e 25 nëntorit 1953 në “Uembi” të Londrës, ndryshe i quajtur “Stadiumi Perandorak” (Imperial Stadium), duhej të ishte më shumë një festë e futbollit anglez, dhe një shfaqje e qartë e superioritetit të “shpikësve të sportit” ndaj një Hungarie që ishte e respektuar (nënkampione bote në 1938), por jo më larg sesa në kontinent.

Kombëtarja e Anglisë nuk kishte humbur asnjë ndeshje në shtëpi ndaj një kundërshtari nga kontinenti, në 81 vjet ekzistencë, që nga viti 1872, dhe kishte pësuar vetëm një disfatë në 1949, por nga një tjetër ekip ishullor, Republika e Irlandës. Gjithsesi, kur ndeshja përfundoi, në Angli u vunë në dyshim parimet e futbollit që ishin praktikuar deri në atë kohë. Rezultati dihet, 6-3 për hungarezët, që u quajtën “Kuajt Fluturues” . Të besuarit e trajnerit Gustav Shebesh luajtën “futbollin total” shumë vjet përpara holandezëve, dhe kishin krijuar rolin e një qendërmbrojtësi që tërhiqej në thellësi, të luajtur nga Nandor Hidegkuti.

Skema e Shebeshit ishte 3-2-2-3, ndërsa golat u shënuan nga Hidegkuti në 1’, 20’ e 53’, Pushkash në 24’ e 27’ dhe nga Bozhik në 50’. Për Anglinë realizuan Sjuell në 13’, Mortensen në 38’ dhe Ramsej në 57’ me penallti. Në prani të 105 000 spektatorëve, hungarezët u paraqitën me këtë formacion: Groshiç, Buzanski, Lantosh, Lorant, Bozik, Zakariash, Budai, Koçish, Hidegkuti, Pushkash, Cibor.

Sfidanti.al