Murinjo-Ronaldo, paqja firmoset në Shkup të Maqedonisë

Zhoze Murinjo e Kristiano Ronaldo janë përplasur shumë kur ishin bashkë tek Reali, ndërsa ishte normale që të debatonin në distancë kur të dy ishin në Angli. Tashmë, 4 vjet pasi trajneri portugez u largua nga “Bernabeu”, duket se dy kampionët e mëdhenj dhe të ndryshëm kanë bërë paqe. U duk qartë në stadiumin “Filipi II” të Shkupit, ku trajneri i Junajtidit dhe sulmuesi i Realit u takuan për shumë sekonda në pushim të ndeshjes së Superkupës. Jo vetëm i dhanë dorën njëri-tjetrit, por patën një përqafim ndërsa dilnin nga fusha.

“Tek Reali kam pasur vetëm probleme sportive me lojtarët”, – tha Murinjo para takimit dhe kjo ishte e vërteta. Trajneri ishte më pragmatik, ndërsa Ronaldo normalisht donte lojë më sulmuese. “Mou” pati përplasje edhe me kapitenin Sergio Ramos, si dhe me kapitenin e mëparshëm, Iker Kasijas, ndërsa kur ishte trajner i Çelsit, dhe Ronaldo lojtar i Junajtidit, Zhoze e cilësoi “djalë pa edukatë”.

Sfidanti.al