Murinjo pranon forcën e Shkëndisë: Na e bënë ndeshjen të vështirë!

Luajti më mirë sesa skuadrat shqiptare që ishin në Ligën e Europës përpara saj. Shkëndija e Tetovës nuk pësoi ndonjë humbje 0-4 edhe pse pati përballë Totenhemin e Premier Ligës të udhëhequr nga Zhoze Murinjo. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut arritën të impresionin pikërisht trajnerin portugez pasi Valmir Nafiu barazoi në minutën e 55-të duke i tronditur londinezët. U desh që Murinjo të hidhte në fushë Harri Kejnin, Lukas Mourën dhe Zhovani Lo Selson në pjesën e dytë që Totenhemi t’ia dilte.

“Ne bëmë detyrën, edhe pse nuk luajtëm shumë mirë, – tha më pas tekniku i Spërsave, – Shkëndija është një skuadër e mirë, që natyrisht luan me intensitet tjetër në krahasim me ne. Ne gabuam dhe ata na e vështirësuan shumë ndeshjen. Shkëndija ishte e drejtuar mirë nga trajneri i saj (Ernest Gjoka), e organizuar, e ekuilibruar. Fola me (Goran) Pandevin para ndeshjes dhe ai më tha se ne do të fitonim, por nuk do ta kishim të lehtë. Ai pati të drejtë, ne fituam, por nuk ishte e lehtë”.

Sfidanti.al