Murinjo nuk po gjen “prekjen” magjike, edhe me golat e Ibrës!

Vështirë të spjegohet sesi një skuadër nuk arrin tek suksesi edhe kur Zllatan Ibrahimoviç shënon 27 gola deri tani në një sezon. As Zhoze Murinjo nuk arrin ta kuptojë se çfarë po ndodh me këtë Mançester Junajtid. Barazimi i 9-të në shtëpi në Premier Ligë bëri që mundësitë për të shkuar në Champions edicionin e ardhshëm të zbehen shumë. Për një trajner krenar dhe fitues si portugezi, kjo është më pak sesa mund të pranohet prej tij. Besohet, këtë po mendojnë edhe pronarët amerikanë të klubit, si dhe tifozët.

Ndalesa 1-1 me Evertonin në “Old Traford” matematikisht e lë Junajtidin jashtë katërshes së parë të renditjes, zonë që të kualifikon për në Ligën e Kampionëve. Madje, u desh një gol në minutën e fundit me penallti nga Ibra që të shpëtohej të paktën pika. E vërteta është se Zllatani shënoi një gol më herët, të anuluar pa të drejtë siç e treguan pamjet filmike (në foto), diçka që të shtyn ta kërkosh më me ngulm teknologjinë.

Gjithsesi, ka disa statistika që nuk të lënë të gabosh në gjykim. Junajtid është ekipi që vërtet humbet më pak në Premier (3, baraz me Totenhemin), por që barazon shumë më tepër se të tjerët (12 herë) madje kryesisht në shtëpi, si për të treguar se stili i Murinjos vlen më shumë në kundërsulm. Po ashtu, diferenca e golave është më e keqja ndër 7 ekipet e parë, dhe numri i golave të shënuar (43) shumë më i vogël se 6 ekipeve të tjerë të kreut (Liverpuli ka rekordin me 64). Jo më kot, mediat britanike shkruajnë se “Ibrahmoviç ndoshta po mendon se po humb kohë kot në “Old Traford”, ku vështirë të fitojë një titull kampion”.

Sfidanti.alibra everton1