Mrekullia e Dele Alit, si do të ishte Totenhemi bashkë me të dhe me Bejlin?!

Kur në fushë luan dyshja e shkëlqyer Kejn-Son, “gjelat” e Londrës janë një bukuri për t’u ndjekur, edhe pse Zhoze Murinjo mendon shumë për të mos pësuar gol. Gjithsesi, ndërsa Totenhemi është në krizë rezultatesh në Premier Ligë, paraqitja që bëri në Ligën e Europës na kujtoi se çfarë mund të kishte qenë ky ekip nëse çdo lojtar do të kishte qenë në formë. Në fitoren 4-0 ndaj Volfsbergerit austriak, Spërsat patën autor goli Dele Alin dhe Garet Bejlin, dy prej lojtarëve më të talentuar në Europë. Dele Ali shërbeu edhe dy asistë dhe anglezët janë shumë pranë kualifikimit për në të tetat e finaleve. Për habi, Ali dhe Bejl janë jo shumë të besuar nga Murinjo, dhe që të dy besohet se kanë qenë të shpërqëndruar duke ulur shumë nivelin e tyre. Po nëse tani ata bëjnë kthesën? Nuk dihet nëse Totenhemi do të luftojë dot për Championsin këtë sezon, por nuk duhet harruar se është në finalen e Kupës së Ligës dhe në garë në Ligën e Europës.

Sfidanti.al