Mos vallë përfundoi “muaji i mjaltit” i Flikut tek Bajerni?!

Nuk ia vlen të nxitohesh pasi janë gjëra që ndodhin, pra edhe që skuadra e madhe bavareze të mposhtet. Nuk është koha e dueleve klasike me Mynshengladbahun, por ja që Borusia ia doli ta mundë Bajernin dhe t’i shkaktojë trajnerit Hansi Flik humbjen e dytë radhazi në Bundesligë. Një “muaj mjalti” që duket se po përfundon, ndërsa kampionët në fuqi mbeten edhe më prapa në renditje, plot 7 pikë poshtë Borusias.

E pra u duk se po shkonte mirë kur Ivan Perishiç kaloi miqtë në epërsi në stadiumin e Gladbahut, me të nisur pjesa e dytë, veçse vendasit patën forcë të reagonin. Bensebaini barazoi në 60’ dhe sërish ai shënoi golin e fitores në sekondat shtesë falë një penalltie. Bajerni e mbylli me 10 lojtarë pasi Havi Martinez doli me të kuq, ndërsa Robert Levandovski, Tomas Myler apo Filip Kutinjo u dukën të pafuqishëm.

Për t’i bërë punët më keq për skuadrën e Flikut, edhe rivalët e tjerë fituan. Dortmundi shkatërroi 5-0 Fortunën e Dyseldorfit me rrjeta të Rojsit, Torgan Hazarit, Sanços, Rojsit e Sanços sërish. Lajpcigu triumfoi 3-1 në fushën e tij ndaj Hofenhajmit, falë Timo Vernerit, që shënoi dy herë. Gladbahu ka 31 pikë, ndaj 30 të Lajpcigut, ndjekur më pas nga Dortmundi me 26, Shalke me 25 e Frajburgu po me 25. Bajerni, për momentin, duhet të kënaqet me vendin e 6-të me 24 pikë.

Sfidanti.al