Mos u qaj Aguero, Guardiola ka listë të gjatë “viktimash të mëdha”!

Kun Aguero është vërtet një “viktimë e shkëlqyer” (nëse do të vazhdojë të mbetet në stol). Gjithsesi, ylli argjentinas nuk duhet të mërzitet aq shumë, ose më mirë mund ta kishte parashikuar atë që ndodhi. Pep Guardiola, që e la në stol në ndeshjen e fundit të Premier Ligës, ka një histori të gjatë me veprime të tilla.

Operacioni “Fshesa” i katalanasit nisi sapo u ul në stolin e Barcelonës, kur pa një e pa dy, largoi disa nga figurat më të mëdha të “blaugranëve”. Në verën e vitit 2008 u larguan Ronaldinjo, Samuel Eto dhe Deko. Nuk shkoi shumë dhe në vitin 2010 u mor Zllatan Ibrahimoviç që nga Interi, por sulmuesi i shkëlqyer suedez nuk mundi ta bindte Guardiolën dhe u largua nga “Kamp Nou” një vit më vonë.

Tek Bajerni, Pep nuk pati asnjë lëkundje të linte në stol Mario Gëcen dhe po ashtu të largonte Mario Manxhukiçin, ndërsa tek Siti sapo erdhi largoi portierin Xho Hart (sot tek Torino në Serinë A), si dhe Jaja Turenë, i cili gjithsesi e bindi trajnerin të ndërronte mendim.