Misteri “Pogba”, edhe mjeshtri Murinjo e ka vështirë ta zgjidhë!

Zhoze Murinjo besohet se është një nga trajnerët-psikologjistë më të mirë të futbollit. Mjeshtëria e tij, sidoqoftë, është vënë në provë të rëndë këto kohë me mesfushorin më të shtrenjtë të botës, Pol Pogba, i cili duket si një “mish i huaj” tek Mançester Junajtid. Mediat britanike shkruajnë se fajtori më i madh në këtë histori nuk është vetë Pogba, por agjenti i tij Mino Raiola, i cili duket se po e nxit kundër trajnerit.

Junajtid dhe Murinjo kanë shprehur bezdi për faktin se Raiola ka ardhur shpesh në stërvitje për të ndjekur dhe takuar klientin e tij, dhe afërsia e agjentit ka ndikuar edhe më shumë për keq tek francezi. i marrë për 105 milionë euro, ai nuk po jep atë që pritet dhe “Deili Meil” thekson se forma e mesfushorit ka rënë edhe më shumë që prej ardhjes në “Old Traford” të Aleksis Sançezit.

Sidoqoftë, ish-ylli dhe ish-trajneri i Anglisë, Glen Hodëll, fajëson Murinjon. “Pogba është një lojtar i shkëlqyer, por janë skemat e Murinjos që nuk po e lejojnë të shprehë potencialin e tij”, – shprehet ish-mesfushori. Gjithashtu, ka edhe një histori se francezi mund të kthehet tek Juventusi.

Historia tjetër është që Murinjo do të bëjë një përpjekje tjetër. Ai duket se ka biseduar me agjentin e tij, Zhorge Mendez, që t’ia rrëmbejë Pogbanë, Raiolës, dhe në këtë mënyrë të dy do të jenë me të njëjtin prokurator. Kjo do ta bënte më të lehtë gjetjen e gjuhës së përbashët, pasi agjentët kanë një ndikim vendimtar tek futbollistët.

Sfidanti.al