Miqësorja nuk shkoi sipas planit, në FSHF të “alarmuar” për Vatën!

Nuk ka kaluar pa polemika, dhe ishte e pritshme. Lista e legjendave të kombëtares shqiptare për Ndeshjen e Yjeve nuk është pritur edhe aq mirë në Federatën Shqiptare të Futbollit, siç bëjnë me dijë për Abc Neës-in, burime brenda saj. Presidenti Armand Duka, sipas këtyre burimeve, ka kërkuar llogari për mënyrën sesi është përpiluar lista emërore, ndonëse kjo nuk ka qenë kompetencë e Federatës.

Shqetësimi i tij mësohet se ka qenë për lënien jashtë të ish-kapitenit Rudi Vata dhe të ish-liderit të mesfushës, Bledar Kola. Mësohet se emrat janë përzgjedhur në Sindikatën e Futbollistëve, që kryesohet nga lojtari i Tiranës, Andi Lila, ndërsa nuk është e qartë se përse Vata dhe Kola nuk kanë qenë pjesë e saj. Flitet se arsyeja mund të ketë qenë ndonjë konflikt i mëparshëm i Vatës me ish-lojtarë të tjerë të rëndësishëm të kombëtares si Strakosha apo Tare, ndonëse kjo nuk konfirmohet nga askush.

Në Federatë thonë se ata e ftuan Vatën dhe Kolën në përurimin e “Arenës Air Albania”, pra në ndeshjen ndaj Francës në eleminatoret e Europianit, ndonëse ky i fundit nuk erdhi.  Në listën e lojtarëve shqiptarë ka 20 emra, që nga Cana, Strakosha, Tare, Bushi, Bogdani, Aliaj, Skela apo Lala. Njëri nga të ftuarit, ish-kapiteni tjetër kuqezi, Besnik Hasi, do të jetë i pranishëm vetëm në pjesën e parë të ndeshjes së të premtes në “Arenë” pasi do të duhet të largohet drejt Arabisë Saudite ku punon si trajner.

Sfidanti.al