Milot Rashica, në qiellin e 9-të, pas tentativës së 9-të!

Kaq ndeshje iu deshën Verderit për të prishur mallkimin në Bundesligë dhe për t’u kthyer tek fitorja. i ndihmoi Milot Rashica, një shqiptar Kosove, që ka vrapimin e një “rakete”, dhe gjuajtjen e një mjeshtri. Sulmuesi 23-vjeçar realizoi dy herë në fushën e Volfsburgut, në fitoren e vështirë, por tepër të rëndësishme 3-2 që mund të ndryshojë sezonin e skuadrës nga Bremeni. Rashicës i është dhënë e drejta dhe përgjegjësia për të gjuajtur penalltitë, dhe kështu shënoi golin e parë. Shtatë minuta para fundit, ai shënoi golin e dytë, këtë herë me aksion, duke vulosur shifrat në 3-2.

Rashica është shënuesi më i mirë i Verderit, me 6 gola në 9 ndeshje, dhe me mesataren një gol në çdo 120 minuta. Me 6 rrjeta dhe me 3 asiste, shqiptari i Kosovës është edhe lojtari më i mirë i skuadrës nga Bremeni duke pasur 9 pikë, njësoj me Tomas Mylerin e Bajernit e duke qenë më mirë sesa ylli tjetër i Bajernit, Serg Gnabri. Nota e tij mesatare për ndeshje është 2.81, duke qenë sërish më i miri i Verderit, dhe në vendin e 12-të gjithsej në Bundesligë.

Sfidanti.al