Milani fiton pa Zllatanin, dhe Pioli po e fiton luftën me klubin pa Ibrën!

Ylli kryesor i skuadrës nuk ishte në fushë, por kjo nuk pengoi. Të paktën në ndeshjet e fundit, Milani po tregon se di të luajë pa Zllatan Ibrahimoviçin, dhe legjenda suedeze mund ta marrë me qetësi procesin e rikuperimit, e të ketë besim tek shokët. Klubi i madh italian hodhi një tjetër hap drejt zonës së Europës duke fituar një sfidë jo dosido, por ndaj Romës, sidomos falë këmbënguljes deri në fund.

U desh të kalonin tre të katërtat e sfidës në “San Siron” pa tifozë që të shënohej goli i parë, dhe autor ishte një emër i zakonshëm. Sulmuesi kroat, Ante Rebiç, tregoi se meriton nofkën “zëvendësuesi i Ibrës”, ndërsa realizoi në minutën e 76-të. Kaq u desh, dhe në një përmbyllje emocionuese, Milani gjeti forca edhe për dyfishimin e avantazhit falë turkut Hakan Çalhanoglu me 11-metërsh, një minutë para fundit.

Trajneri Stefano Pioli mund të ndihet i lumtur me reagimin e ekipit të tij, ndonëse u kujdes të theksonte pas ndeshjes se kuqezinjtë kanë bërë kthesë vetëm pas ardhjes së Ibrës. Po ashtu, Pioli po zhvillon një betejë të fortë brenda klubit, me drejtuesit që duan ta shkarkojnë e ta zëvendësojnë me gjermanin Ralf Rangnik, që duhet të jetë edhe trajner, edhe drejtor teknik. Sido që të shkojë puna, tekniku italian dëshiron t’i thotë Milanit se ai është njeriu i duhur për të drejtuar skuadrën 7 herë kampione të Europës.

Sfidanti.al