Mesi mbulohet me “flori”, por pse kaq vonë “Po”-ja për Barçën?

Lionel Mesi më në fund rinovoi, dhe në Barcelonë sërish mund të lindë dielli. Për tifozët katalanas, qendrimi i “djalit të madh” në shtëpi ishte ndoshta po aq e rëndësishme sa fati i republikës së tyre të saposhpallur, të cilën një pjesë e madhe e duan, dhe një pjesë tjetër e madhe për momentin nuk e kanë shumë me qejf. Në të kundërt, Mesin e duan të gjithë.

Sipas njoftimeve nga Spanja, marrëveshja është e vlefshme deri në vitin 2021, klauzola e transferimit për yllin më të madh të futbollit në botë është 700 milionë euro. Asnjë hollësi nuk është dhënë për rrogën, por besohet se ajo duhet të jetë mbi 30 milionë euro në sezon, ndërsa dihet mirë se Mesit do t’i jepen automatikisht në dorë 90 milionë euro si shpërblim vetëm që rinovoi.

Ajo që nuk kuptohet mirë është se përse rinovimi i kontratës së “Pleshtit” u vonua kaq shumë. Besohet se kjo ka lidhje me dyshimet e Mesit lidhur me aftësinë e drejtuesve katalanas për të ndërtuar një skuadër të aftë për të konkurruar me Realin për dominim në Spanjë dhe në Europë.

Kontrata e mëparshme e Mesit me Barçën përfundonte në mbyllje të këtij sezoni dhe ekzistonte frika se ai mund të largohej me parametër zero verën e ardhshme. Spekullimet ishin të shumta se numri 10 mund ta vazhdonte karrierën tek Mançester Siti me trajner Pep Guardiolën.

Debutimi i tij u bë 4788 ditë më parë, saktësoi Barcelona, ai luajti 602 ndeshje deri tani, shënoi 523 gola dhe fitoi 30 trofe. “Historia vazhdon”, thuhet në postimin e klubit, ndërsa presidenti Bartomeu e quajti Mesin “lojtari më i mirë në historinë e futbollit”. Leo erdhi 13 vjeç nga Njuells Old Bojsi i Argjentinës, ndërsa në 2021 do të ketë 17 vjet në ekipin e parë të Barcelonës.

Sfidanti.al