Mesi është “Zotëria 400” në La Liga, askush aq gola sa ai!

Gazeta “Marka” e kundërshton dhe thotë se janë 399, por e gjithë bota, së pari Federata Spanjolle e Futbollit, si dhe Liga Spanjolle e Futbollit, janë në një mendje, që Lionel Mesi ka shënuar 400 gola në kampionat. Shifra historike “u rrumbullakos” sonte, në minutën e 53-të të ndeshjes mes Barcelonës dhe Eibarit, në “Kamp Nou”.

Ishin plot 71 039 tifozë fatlumë në stadiumin e kryeqendrës së Katalonjës, dëshmitarë të momentit unik, ndërsa argjentinasi shkroi një tjetër faqe historie. Askush më parë nuk kishte shënuar 400 rrjeta në La Liga, madje numri 2, Kristiano Ronaldo, u largua pasi arriti në 311. Mesatarja e superyllit të Realit është 1.07 gola për ndeshje, ndërsa ajo e superlojtarit të Barcelonës është 0.92, pasi ka luajtur 435 takime për 400 realizimet. Nuk duhet harruar se CR7-ta erdhi në La Liga në moshën 23-vjeçare, ndërsa Mesi luajti që kur ishte 17 vjeç.

Ish-rekormeni, legjenda e Atletikut të Bilbaos, Telmo Zarra, është tashmë shumë më prapa me 251 rrjetat e tij, shënuar në 278 ndeshje. Natyrisht, Mesi i ka mundësitë të vazhdojë ta shtojë rekordin personal dhe kombëtar të La Ligës, dhe po ashtu të shtojë numrin e ndeshjeve, për të arritur rekordmenin e Barcelonës, Ksavin me 505 takime, dhe për të synuar t’i afrohet sa më shumë rekordmenit total të kampionatit, Andoni Zubizarreta, që luajti 622 ndeshje për Bilbaon, Barcelonën e Valencian.

Golin e parë, Leo e shënoi pas topit të dhënë nga legjenda Ronaldinjo, në sezonin 2004-2005, ndërsa të fundit me asist të Luis Suarezit. Ai ka 17 rrjeta në 17 ndeshje këtë sezon në kampionat, dhe 23 gola në 22 ndeshje gjithsej në edicion.

Sfidanti.al