Mëkat në Ligën e Europës, Arsenal e Atletiko luajnë finalen e parakohëshme!

Një finale e parakohëshme do të luhet në gjysmëfinalen e Ligës së Europës. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës vuri përballë dy skuadrat më të forta të këtij kompeticioni, Arsenalin e Londrës dhe Atletikon e Madridit. Skuadra spanjolle cilësohet si favoritja për fitoren finale, ndërsa anglezët janë pretendentët numër 2.

Në çiftin tjetër gjysmëfinal do të ndeshen Olimpiku i Marsejës dhe Salcburgu. Skuadra franceze pritet të jetë favorite ndaj asaj austriake, ndonëse nuk mund të përjashtohen të papriturat.

Të katër skuadrat do të përpiqen ta fitojnë Ligën e Europës, jo vetëm për të pasur një trofe më shumë në historinë e tyre, por edhe sepse fituesi i këtij kompeticioni merr pjesë sezonin e ardhshëm në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen në datat 26 prill e 3 maj, ndërsa finalja do të jetë në 16 maj në stadiumin e Lionit, në Francë.